Trump: SHBA dhe Irani pritet të nënshkruajnë marrëveshje paqeje të dielën

Bota

Trump: SHBA dhe Irani pritet të nënshkruajnë marrëveshje

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, deklaroi të shtunën se SHBA-ja dhe Irani pritet të nënshkruajnë një marrëveshje paqeje gjatë ditës së diel.

Përmes një postimi në rrjetin e tij social Truth Social, Trump tha se Irani ka rënë dakord të heqë dorë nga përpjekjet për të siguruar armë bërthamore “nëpërmjet blerjes, zhvillimit apo çdo forme tjetër sigurimi”. Ai shtoi gjithashtu se ngushtica e Hormuzit do të rihapet menjëherë pas nënshkrimit të marrëveshjes.

“Marrëveshja është planifikuar të nënshkruhet nesër dhe menjëherë pas nënshkrimit, Ngushtica e Hormuzit do të jetë e hapur për të gjithë”, shkroi Trump.

Sipas raportimeve, një memorandum mirëkuptimi mund të nënshkruhet që të dielën në Geneva. Dokumenti pritet të firmoset nga zëvendëspresidenti amerikan JD Vance dhe kryetari i Parlamentit iranian Mohammad Bagher Ghalibaf.

Në kuadër të marrëveshjes së raportuar, SHBA-ja do të lironte miliarda dollarë asete iraniane të ngrira dhe do të lehtësonte sanksionet mbi eksportet e naftës së Iranit, ndërsa Teherani do të rihapte ngushticën e Hormuzit. Programi bërthamor iranian do të trajtohej në një periudhë shtesë negociatash prej 60 ditësh.

Megjithatë, autoritetet iraniane nuk kanë konfirmuar publikisht ekzistencën e një marrëveshjeje të tillë. Burime pranë ekipit negociator iranian kanë mohuar raportimet për një marrëveshje të finalizuar, ndërsa një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme të Iranit deklaroi se delegacioni iranian nuk kishte planifikuar udhëtime drejt Gjenevës apo destinacioneve të tjera në ditët në vijim.

Trump kundërshtoi gjithashtu versionin e kushteve të marrëveshjes që, sipas tij, është publikuar nga mediat shtetërore iraniane, duke deklaruar se ato “nuk kanë asnjë lidhje me kushtet e rëna dakord me shkrim”.

Presidenti amerikan e krahasoi marrëveshjen e re me marrëveshjen bërthamore të vitit 2015, të negociuar gjatë administratës së ish-presidentit Barack Obama, nga e cila SHBA-ja u tërhoq në vitin 2018.

Ai deklaroi gjithashtu se Uashingtoni synon të marrë në kontroll rezervat e uraniumit të pasuruar të Iranit në një fazë të mëvonshme, duke theksuar se opsioni ushtarak mbetet ende i mundshëm nëse marrëveshja nuk respektohet.

Njoftimi i Trump vjen pas javësh negociatash dhe deklaratash të ndërsjella mes dy vendeve. Mbetet për t’u parë nëse marrëveshja do të konkretizohet gjatë së dielës, pasi deri tani nuk ka pasur një konfirmim zyrtar nga pala iraniane.

ME TE LEXUARAT