Nikoll Deda dhe Aurela Guri dërgohen në gjyq, ish-drejtuesit e Urdhrit të Stomatologut akuzohen për këto tre vepra penale

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim ish-presidentin e Urdhrit të Stomatologut, Nikoll Deda, dhe ish-zv.presidenten Aurela Guri. Të dy akuzohen për shkelje të rënda ligjore që lidhen me abuzime me detyrën dhe fondet e institucionit.
Sipas Prokurorisë, Nikoll Deda do të përballet me akuzat për “Vjedhje e kryer duke shpërdoruar detyrën”, “Shpërdorim detyre” dhe “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”, në bazë të neneve 135, 248 dhe 321 të Kodit Penal.
Nga hetimet rezulton se Deda, gjatë drejtimit të institucionit, ka rritur artificialisht buxhetin në mënyrë të përsëritur, ka punësuar familjarë pa kritere ligjore dhe ka shpërdoruar fondet publike për qëllime personale, përmes pagesave fiktive dhe përdorimit të biletave të pajustifikuara.
Ndërkohë, Aurela Guri akuzohet për “Shpërdorim detyre” dhe “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”. Ajo dyshohet se ka marrë vendime financiare pa patur kompetenca, duke lejuar përdorimin e një buxheti të përkohshëm për vitin 2024, në kundërshtim me një vendim të Gjykatës Administrative që ishte në fuqi që prej vitit 2020.
Prokuroria thekson se veprimet e dy të pandehurve kanë pasur si qëllim përqendrimin e pushtetit dhe fondit të institucionit në duart e tyre, duke cënuar funksionimin ligjor të Urdhrit të Stomatologut dhe duke shkelur vendimet gjyqësore ekzistuese.
Çështja pritet të shqyrtohet në gjykatë, ku dy ish-drejtuesit do të japin llogari për akuzat që rëndojnë mbi ta.


