Nga pronari i hotelit te berberi personal, jepen sot masat për bashkëpunëtorët e Flodian Plakut

Ka nisur në orën 09:30 në Gjykatën e Vlorës seanca për caktimin e masës së sigurisë ndaj katër personave të arrestuar së bashku me të shumëkërkuarin Flodian Plaku, i cili u kap pak ditë më parë në një hotel në Orikum.
Të ndaluarit janë:
• Albano Lapshi, i cili dyshohet se i çonte ushqim Plakut në hotel;
• Armando Dano, berber nga Shkodra, i njohur si “Berberi”, që dyshohet se e qethte Plakun gjatë fshehjes;
• Ligor Doko, pronari i hotelit ku fshihej i kërkuari;
• Julian Aliaj, i kapur me armë zjarri me vete dhe i dënuar më parë për trafik droge.
Sipas burimeve hetimore, Plaku kishte rreth dy muaj që mbahej nën mbikëqyrje nga policia. Në ditën e arrestimit, efektivët ndoqën edhe lëvizjet e Lapshit dhe Danos, të cilët po shkonin drejt hotelit ku fshihej 42-vjeçari.
Gjykata pritet të vendosë sot masën e sigurisë për katër personat e dyshuar si bashkëpunëtorë të Flodian Plakut, ndërkohë hetimet për veprimtarinë e tij kriminale vijojnë.


