Biznesmeni turk zhduket në det gjatë udhëtimit me jaht/ Aktorja e njohur turke lutet: Le të ndodhë një mrekulli

Vijojnë pa rezultat operacionet e kërkim-shpëtimit për Halit Yukay, një biznesmen i njohur turk, 43 vjeç, i cili rezulton i zhdukur prej disa ditësh në ujërat e Egjeut. Yukay ishte nisur me një jaht luksoz nga qyteti bregdetar Yalova, me destinacion Bozcaada, por nuk mbërriti kurrë në vendin e planifikuar.
Autoritetet detare kanë gjetur jahtin të dëmtuar dhe të gjysmë fundosur, por deri tani nuk është zbuluar asnjë gjurmë e vetë biznesmenit. Kërkimet janë intensifikuar, por situata mbetet e pasigurt.
Ngjarja ka shkaktuar shqetësim në opinionin publik dhe botën e showbizit në Turqi. Aktorja e njohur Seda Bakan ka reaguar me një mesazh prekës në rrjetet sociale, duke shpërndarë një foto me Yukay dhe bashkëshortin e saj:
“Ju lutem, le të ndodhë një mrekulli,” – shkroi aktorja, duke iu lutur ndjekësve që të përhapin informacionin dhe të shprehin mbështetje për gjetjen e tij.
Yukay është një figurë e njohur në rrethet e biznesit turk, me lidhje të forta me botën e artit dhe të famshmëve. Për momentin, hetimet dhe kërkimet janë ende në zhvillim.


