Arrestohet në Durrës 40-vjeçari që vidhte para dhe aksesorë në mjetet e pushuesve dhe në banesa

Një 40-vjeçar me precedentë të mëparshëm penalë është arrestuar nga Policia e Durrësit, pas një sërë vjedhjesh në zona të ndryshme të qytetit.
Gentian Llana, banues në Durrës, akuzohet për të paktën pesë vjedhje, të kryera në automjete të pushuesve, në banesa dhe motoçikleta. Ai ishte shpallur më herët në kërkim dhe u lokalizua falë pamjeve të kamerave të sigurisë, të cilat dokumentuan lëvizjet dhe mjetet që përdorte për të kryer vjedhjet.
Operacioni i koduar “Pamjet” çoi në identifikimin dhe ndalimin e të dyshuarit, ndërsa në cilësinë e provave materiale janë sekuestruar mjetet e përdorura gjatë grabitjeve.
Sipas hetimeve, Llana ka vjedhur shuma parash në euro, aksesorë dhe sende me vlerë në automjete, si dhe motoçikleta dhe objekte personale në disa banesa në lagjet nr. 12 dhe nr. 17 të qytetit.
Policia vijon hetimet në bashkëpunim me Prokurorinë për dokumentimin e plotë ligjor të aktivitetit kriminal të këtij shtetasi.
Materialet i janë referuar Prokurorisë së Durrësit, për veprën penale “Vjedhja, kryer më shumë se një herë”.


