Moti i keq/ Kryetarja e bashkisë Kurbin: E kemi nën monitorim situatën! Qytetarët: Ajo e ka fajin, 30 vite nuk ka pastruar kanalet

Aktualitet

Moti i keq/ Kryetarja e bashkisë Kurbin: E kemi nën monitorim

Moti i keq ka shkaktuar përmbytje të konsiderueshme në disa zona të qarkut të Lezhës, ndërsa më e goditura rezulton të jetë zona e Zhejës në Kurbin. Vërshimi i ujërave malorë ka përmbytur banesa dhe biznese, duke shkaktuar dëme të mëdha materiale.

Raportohet se edhe një numër i konsiderueshëm automjetesh janë dëmtuar si pasojë e prurjeve të mëdha të ujit.

Kryetarja e Bashkisë Kurbin, Majlinda Cara, ka deklaruar se mjetet dhe ekipet e bashkisë ndodhen aktualisht në terren për të menaxhuar situatën dhe për t’u ardhur në ndihmë banorëve të prekur.

“Reshjet kanë qenë me intensitet të lartë. Reshje të shumta në kohë shumë të shkurtër. Një ndër zonat problematike është në fshatin Zhej ku po bëjmë dhe ndërhyrje për shkak të prurjeve të menjëhershme të përrenjve nga malet. Në koordinim me bordin e kullimit në Lezhë, po ndërhyjmë dhe me mjetet e bashkisë. Problem kemi pasur argjinaturën e lumit Droji. Dhe atje kemi mjete që po ndërhyjmë. Këto janë pikat kryesore. E kemi nën monitorim gjithë situatën”, tha Majlinda Cara.


Ndërkohë banorët e zonës, fajsojnë kryetaren Cara për mospastrimin e kanaleve duke sjellë kështu dhe këtë nivel përmbytjesh me dëme të mëdha.

“Shihi si janë bërë makinat. Kanë hyrë 1 metër ujë brenda. Vetëm faji i bashkisë. Kjo 50 milionë merr me të një ramë lapsit dhe ka 30 vite që nuk e ka pastruar kanalin. Kryetarja thotë që kam dalë në lëvizje që në orën 7. Mjeti ka 10 minuta që ka ardhur, çfarë do bëjë mjeti pasi është përmbytur. Kryetarja e bashkisë nuk bën pastrimet e kanaleve.”

“Dëme kolosale. Uji 1 metër brenda në lokal. Kanalet vite pa pastruar. Çdo gjë ka ndodhur për 1 orë. I ka marr uji makinat përpara.

Teksa vendi ynë po përballet nga kushte atmosferike të paqëndrueshme, Policia Rrugore ka shtuar prezencën në rrugë.

Në një njoftim, policia iu bën thirrje drejtuesve të mjeteve që të respektojnë rregullat e qarkullimit në rrugë.

Njoftimi i plotë

Nisur nga moti i keq me reshje të dendura shiu dhe stuhi, që ka përfshirë disa zona të vendit, Policia e Shtetit ka shtuar prezencën e shërbimeve policore dhe apelon për qytetarët që të shmangin lëvizjet e panevojshme, si dhe të tregojnë kujdes gjatë lëvizjes në rrugë, me automjete, motomjete apo me këmbë.

Shërbimet e Policisë janë planëzuar me shërbim në të gjithë vendin dhe janë të angazhuara maksimalisht për të ndihmuar përdoruesit e rrugës, në raste nevoje, dhe për të parandaluar aksidentet rrugore.

Strukturat e Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me Emergjencat Civile, Ministrinë e Mbrojtjes dhe institucionet e tjera, janë në gatishmëri për të ndërhyrë në çdo rast që paraqet rrezik për përdoruesit e rrugës dhe për banorët në zonat ku është parashikuar që të ketë reshje të dendura shiu.

Firmat kontraktore për mirëmbajtjen e rrugëve po punojnë për të pastruar inertet e rëna si pasojë e reshjeve të dendura dhe për zbllokimin e disa segmenteve të bllokuara nga shkarja e dherave dhe e gurëve.

KUJDES‼

Shmangni lëvizjet e panevojshme dhe lëvizjet në akset që paraqesin rreziqe;

Respektoni sinjalistikën rrugore;

Moderoni shpejtësinë, mbani distancën e duhur me mjetet e tjera, mos kryeni parakalime të gabuara, vendosni rripin e sigurimit dhe kaskën mbrojtëse.

 

ME TE LEXUARAT