Moti i keq godet vendin! Përmbytje dhe rrugë të dëmtuara nga veriu në jug. Ja si paraqitet situata!

Lumi Vjosa ka dalë nga shtrati në zonën e tregut të gjësë së gjallë, poshtë urës së Mifolit.
Niveli i lumit ka arritur në 7.10 metra, çka ka bërë që tre banesa pranë urës së Mifolit të jenë të përmbytura, raporton për Klan News, gazetarja Greta Haskaj.
Ndërkohë, Shtabi i Emergjencave Civile është në gatishmëri por ka njoftuar dhe banorët e zonës, pasi sipas parashikimeve meteorologjike, në zonën e Përmetit dhe të Gjirokastrës,
e Memaliajt, pritet të ketë reshje të dendura shiu, të cilat mund të rrisin edhe më tej prurjet e Vjosës.
Situata në qarkun Lezhë
Reshjet e shiut kanë vijuar gjatë 24 orëve të fundit, ndërsa sipas të dhënave nga Stacioni Meteorologjik Ushtarak në Gjadër, kanë rënë 25 mm shi.
Në Bashkinë Lezhë, problemet nisën mbrëmjen e kaluar, ku është shënuar çarja e argjinaturës mbrojtëse në pjesën jugore të lagunës së Vainit, në një gjatësi rreth 40 metra. Gjatë natës është punuar për bllokimin e çarjes, duke hedhur inerte me 12 kamionë (2 të Forcave të Armatosura, 10 të bashkisë dhe subjekteve private). Situata mbetet problematike, pasi uji i kripur i lagunës vazhdon të depërtojë në kanalin e Hidrovorit të Tales, duke ndryshuar rrjedhën natyrore të tij nga perëndimi drejt lindjes dhe duke shkaktuar përmbytje në tokat bujqësore. Aktualisht, Hidrovori i Tales është jashtë funksioni, ndërsa të gjithë hidrovorët e tjerë po punojnë normalisht. Procesi mësimor vijon pa probleme.
OSHEE Lezhë raporton dy fidra me avari: fiderin 11 Kallmet (Fishte, Blinisht, Baqel, Kodhel, Kallmet, Trashan, Piraj, Krajnë) dhe fiderin e ujësjellësit në Rrilë, që furnizon Rrilën, Barbullojen dhe një segment të autostradës.
Në Bashkinë Kurbin nuk raportohen problematika, përveç punimeve për riparimin e rrugës Skuraj–Gallatë–Vinjollë. OSHEE Kurbin bën me dije se dy kabina elektrike në Skuraj janë pa energji për shkak të dëmtimit të shtyllave.
Në Bashkinë Mirditë nuk ka raportime për probleme të reja, përveç atyre ekzistuese. Sot, forcat dhe mjetet bashkiake do të përqendrohen në zonat problematike, kryesisht në Fan, për rehabilitimin e rrugëve të bllokuara. OSHEE pritet të vijojë me zëvendësimin e transformatorëve të djegur në Katund të Vjetër e Bukmirë, si edhe me riparimin e defekteve të tjera për normalizimin e situatës. Drejtoria Arsimore nuk raporton probleme.
Niveli i lumit Drin ka shënuar rritje, por mbetet brenda kuotave jo problematike. Autoritetet lokale mbeten në gatishmëri dhe në komunikim të vazhdueshëm.
Si paraqitet situata në qarkun e Gjirokastrës
Reshjet e shiut në qarkun Gjirokastër kanë vijuar gjatë natës më 20 nëntor me intensitet mesatar deri të lartë, ndërsa aktualisht janë në rënie.
Të gjitha akset kombëtare në territorin e qarkut janë të qarkullueshme, por problemi kryesor mbetet bllokimi i rrugës Suhë–Poliçan në bashkinë Libohovë, për shkak të dëmtimit të urës në dalje të fshatit Suhë.
OSHEE raporton se furnizimi me energji në njësinë Dropull i Poshtëm paraqet probleme dhe grupet e punës janë në terren për të riparuar avarinë.
Niveli i Vjosës në urën e Memaliajt ka arritur 7.1 metra, nën pikën kritike prej 8 metrash, ndërsa në urën e Përmetit është regjistruar niveli 6.5 metra. Autoritetet mbeten në kontakt të vazhdueshëm për monitorimin e situatës.
Uji del nga këneta, përmbyt rrugë e oborre në Mylte të Tales
Banorët e zonës së Myltes në Tale njoftojnë sot më 20 nëntor 2025 se niveli i ujit është rritur shumë gjatë orëve të fundit. Uji ka dalë nga këneta dhe ka përmbytur disa rrugë, oborre dhe toka bujqësore.
Sipas tyre, situata është përkeqësuar, pasi është çarë argjinatura e kanalit kryesor, e cila mbron zonën nga prurjet e ujit. Çarja dyshohet të ketë lejuar futjen e menjëhershme të ujit me sasi të mëdha, duke rrezikuar komunitetin, raporton gazetari i Klan News, Martin Marku.
Banorët thonë se uji vazhdon të rritet me shpejtësi dhe u kanë kërkuar autoriteteve lokale dhe emergjencave civile ndërhyrje të menjëhershme. Ata shprehen të shqetësuar se situata mund të përkeqësohet edhe më shumë, nëse nuk merren masa të menjëhershme.


