Mjeku shqiptar në Londër flet për sigurinë e AstraZeneca: Është një sulm ekonomik dhe politik

Ditën e sotme, Agjencia Evropiane e Barnave do të japë një tjetër prononcim në lidhje me sigurinë e vaksinës së prodhuar nga AstraZeneca dhe Universiteti i Oksfordit, rreth rasteve të trombozës. Lidhur me sulmet që i bëhen AstraZenecas, se shkakton mpiksje gjaku, ka folur mjeku shqiptar në Londër Adrian Fandi. Në një intervistë televizive ai tha se është një sulm ekonomik dhe politik së bashku.
Sipas tij, vaksina është kthyer tashmë në një shënjestër, ndërsa thekson se rastet e trombozës pas marrjes së dozës janë të papërfillshme.
“AstraZeneca është bërë një target. Anglia i kishte blerë dozat më të mëdha. 15-17 milionë anglezë janë vaksinuar. Prej këtyre janë regjistruar 7 raste fatale, pasi e kanë marrë vaksinën. Shumë e ulët nga ana e përqindjes.
Për Pfizer kemi statistika të brendshme. Në 40 vetë, personeli te puna ime, 7 u sëmurën me Covid-19. Është gjë normale. Pas 1 viti e morën Covid pasi u vaksinuan…Rast fatal nuk kemi pasur. Kemi pasur edhe trombozë pas Pfizer. Por asnjë gazetar nuk shkroi”, tha ai.
Mjeku theksoi se këto efekte anësore mund të ekzistojnë, por ajo që ka rëndësi është numri thuajse i papërfillshëm. Ai solli si shembull rastin e kontraceptivëve që merren nga gratë, të cilët shkaktojnë trombozë në 5 për qind të rasteve.
“Duhet kuantifikuar numri i të sëmurëve. Varet si e pasqyron statistikën. Kjo është një luftë ekonomike e mbështetur nga një luftë politike", tha ai.


