Ministria e Mbrojtjes: 29 vatra zjarri në 24 orë, 11 aktive, situatë e vështirë në Lurë

Aktualitet

Ministria e Mbrojtjes: 29 vatra zjarri në 24 orë, 11 aktive,

Ministria e Mbrojtjes bën me dije se gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 29 vatra zjarri në vend, 11 prej të cilave vijojnë aktive, ndërsa 3 janë në monitorim dhe 4 nën kontroll.

Për përballimin e situatës janë angazhuar 249 efektivë të MZSH-së, 48 forca policore, 233 forca bashkiake, të AdZM-së, Shërbimit Pyjor dhe ASHP-së, 206 vullnetarë dhe 118 efektivë të Forcave të Armatosura.

Në terren janë vënë në dispozicion 43 automjete zjarrfikëse, ndërsa Forcat e Armatosura kanë angazhuar 9 automjete zjarrfikëse, 4 autobote, 3 ambulanca, 3 helikopterë dhe 2 avionë Air Tractor.

Vatrat kryesore aktive janë në disa qarqe të vendit. Në Dajt dhe Priskë të Tiranës vijojnë operacionet për izolimin e zjarreve, por aktualisht nuk raportohet rrezik për zonat e banuara.

Në Përmet, vatrat në malin e Nëmërçkës dhe malin e Dhëmbelit mbeten aktive, ndërsa terreni i vështirë po e vështirëson ndërhyrjen e forcave zjarrfikëse, punonjësve të sektorit pyjor dhe vullnetarëve.

Një nga operacionet më të rëndësishme po zhvillohet në Gurë-Lurë të Dibrës, ku është vendosur nën kontroll perimetri pranë banesave dhe është shmangur rreziku për përhapjen e flakëve drejt tyre. Në operacion janë angazhuar edhe dy avionë Air Tractor.

Vatra aktive raportohen gjithashtu në Qafën e Helmes në Bulqizë, Trojë të Mirditës, Rrencë dhe Goraj-Budishtë në Shkodër, si dhe në Dardhë të Librazhdit dhe Shalës të Cërrikut.

Në disa prej zonave të prekura nuk raportohet rrezik për banesat, ndërsa forcat në terren vijojnë punën për izolimin dhe shuarjen e flakëve.

Operacionet po zhvillohen në mënyrë të koordinuar nga toka dhe ajri. Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile, përmes Qendrës Kombëtare Operacionale të Emergjencave Civile, vijon monitorimin e situatës dhe koordinimin e kapaciteteve sipas nevojës.

ME TE LEXUARAT