Kushtetuesja hoqi 5 vjet punë me detyrim në Shqipëri, reagojnë studentët e Mjekësisë

Aktualitet

Kushtetuesja hoqi 5 vjet punë me detyrim në Shqipëri,

Nje dite pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për ankimin e studentëve te mjekësisë ndaj detyrimit per te punuar 5 vjet ne Shqiperi pas diplomimit, ata kanë dalë sot në një deklaratë për media.

Disa prej tyre shprehën se nuk janë dakord me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila vendosi rishikimin e afateve, por do të jenë hartuesit e ligjit ata që do e caktojnë në këtë nivel apo poshtë tij, dhe u shprehën se nëse e drejta e tyre cenonehet, do të ketë sërish protesta.

Sipas studentëve, do të ishte e drejtë që të dëgjoheshin të gjitha palët, ndërsa janë në pritje të vendimit të arsyetuar.

“Ne jemi dakord me vendimin. GJK i kërkoi qeverisë atë që ne i kemi kërkuar prej kohësh, që të na dëgjojnë dhe të konsultohemi.

Por në këtë moment do ishte e drejtë të dëgjoheshin të gjitha palët e interesit. Ka qenë situatë e vështirë, por beteja nuk përfundon akoma.

Po presim vendimin e arsyetuar. Të shohim se çfarë paraqet vendimi përfunduar që më pas të dimë edhe ne sesi të veprojmë. Këmbëngulja dhe guximi jonë nuk do përfundojë, jemi gati të mbushim sheshet nëse e drejta jonë cenohet”, deklaroi njëra prej studentëve.

Gjykata Kushtetuese në Shqipëri pranoi pjesërisht të enjten një kërkesë të studentëve të Fakultetit të Mjekësisë, duke shfuqizuar disa nene të ligjit që i detyronte ata të punonin në Shqipëri deri në pesë vjet pas diplomimit.

Sipas Gjykatës, dispozitat e kundërshtuara nga studentët, sjellin kufizim të të drejtave për arsim dhe punësim, por ky kufizim ka ardhur për shkak të interesit publik, për të garantuar kujdes shëndetësor.

Ky institucion e ka cilësuar si joproporcional afatin e vendosur nga Qeveria, për ‘mbajtjen peng' të diplomës, me kërkesë të punës së detyrueshme për pesë vjet.

“Afati pesëvjeçar (i parashikuar nga neni 4 i ligjit) rezulton më i ashpër sesa nevoja për të përmbushur objektivin legjitim. Duke u nisur nga premisa që afati pesëvjeçar nuk është proporcional, dhe duke marrë në konsideratë eksperiencën e vendeve të tjera, ku ky afat nuk tejkalon gjysmën e kohëzgjatjes së studimeve, u gjykua që të rishikohen edhe afatet e tjera trevjeçare dhe dyvjeçare, të përcaktuara në të njëjtin nen”, është thënë në vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Cfare vendosi gjykata?

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, në datën 21.12.2023 mori në shqyrtim në seancë plenare publike çështjen me kërkues një grup deputetësh të Kuvendit dhe një grup studentësh të Fakultetit të Mjekësisë, me objekt: “ Shfuqizimi i nenit 4, pikat 1, shkronja “c”, 2, shkronja “b”, 3, shkronja “b” dhe nenit 5, fjalia e parë, të ligjit nr. 60/2023 “Për trajtimin e veçantë të studentëve që ndjekin programin e integruar të studimit të ciklit të dytë “Mjekësi e Përgjithshme” në institucionet publike të arsimit të lartë”, si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë”.

Gjykata Kushtetuese e mbledhur sot, më 25.01.2024, vlerësoi se dispozitat e kundërshtuara sjellin kufizim të të drejtave për arsim dhe punësim, të garantuara nga nenet 49 dhe 57 të Kushtetutës. Kufizimi është vendosur me ligj dhe për interes publik, i cili lidhet me detyrimin e shtetit për të garantuar kujdes shëndetësor ndaj shtetasve, të parashikuar nga neni 55 i Kushtetutës. Megjithatë gjatë procesit nuk u provua se kufizimi është proporcional në drejtim të afateve dhe kohëzgjatjes së shlyerjes së detyrimeve për punësim, pasi afati 5-vjeçar i parashikuar nga neni 4 i ligjit rezulton më i ashpër se sa nevoja për të përmbushur objektivin legjitim. Duke u nisur nga premisa që afati 5-vjeçar nuk është proporcional dhe duke marrë në konsideratë eksperiencën e vendeve të tjera, ku ky afat nuk tejkalon gjysmën e kohëzgjatjes së studimeve, u gjykua që të rishikohen edhe afatet e tjera 3-vjeçare dhe 2-vjeçare të përcaktuara në të njëjtin nen.

Në kuadër të testit të proporcionalitetit, Gjykata ka konstatuar, gjithashtu, se neni 6 i ligjit ka ometim ligjor. Ometimi ka të bëjë me mungesën e kritereve objektive të punësimit me prioritet, trajtimin financiar në kuadër të sigurimit të mjeteve të nevojshme të jetesës, sipas nenit 49 të Kushtetutës, si dhe përllogaritjen e periudhës në pritje në kohëzgjatjen e detyrimit për punësim. Gjykata e analizoi çështjen edhe në këndvështrimin e parimit të sigurisë juridike dhe të barazisë para ligjit.

Masa e pezullimit e vendosur nga Gjykata në datën 14.11.2023 hiqet për shkak të vendimmarrjes së sotme. Duke pasur në konsideratë që, nga njëra anë, ligji në tërësinë e tij duhet të fillojë të prodhojë efekte para përfundimit të këtij vitit akademik, por, nga ana tjetër, dispozitat që duhen shfuqizuar i bëjnë të pazbatueshme marrëveshjet me studentët, Gjykata vlerësoi t’i caktojë Kuvendit detyrimin që brenda 3 muajve të miratojë ndryshimet e nevojshme ligjore.

Për këto arsye, Gjykata Kushtetuese, me shumicë votash, vendosi:

1. Pranimin pjesërisht të kërkesës.

2. Shfuqizimin e fjalëve “5 (pesë) vjet” në nenin 4, pika 1, shkronja “b”, “5-vjeçar” në nenin 4, pika 1, shkronja “c”, “3 (tre) vjet” në nenin 4, pika 2, shkronja “a”, “3-vjeçar” në nenin 4, pika 3, shkronja “b”, “2 (dy) vjet” në nenin 4, pika 3, shkronja “a”, “2-vjeçar” në nenin 4, pika 3, shkronja “b”, të ligjit nr. 60/2023.

3. Konstatimin e ometimit ligjor në nenin 6 të ligjit nr. 60/2023 lidhur me mungesën e kritereve objektive të punësimit me prioritet, trajtimin financiar në kuadër të sigurimit të mjeteve të nevojshme të jetesës, si dhe përllogaritjen e periudhës në pritje në kohëzgjatjen e detyrimit për punësim.

4. Detyrimin e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë që të miratojë ndryshimet e nevojshme ligjore brenda 3 muajve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi.

5. Heqjen e masës së pezullimin të ligjit.

Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar dhe nga Rregullorja për Procedurat Gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese.

ME TE LEXUARAT