I lirë prej muajsh, qytetarin në Fushë- Krujë nuk e lejojnë të votojnë, e “rikthejnë” në burg

Një qytetar në Fushë- Krujë nuk është lejuar që të votojë, edhe pse emri i tij është në qendrën e votimit. Mësohet se qytetari, Gentjan Shala ka dalë nga burgu para më shumë se dy muajsh dhe në qendrën e votimit i është thënë se duhet të votojë në burg.
Mësohet se Shala ka shkuar në burgun e Fushë- Krujës, ku i është komunikuar se është qytetar i lirë dhe se duhet të votojë atje ku ka qendrën e votimit. Dhe ndërkohë atij i figuron emri si votues në qendrën e votimit 184, por sërish nuk është lejuar të votojë.
Ndërkohë në Fushë Krujë është regjistruar një problem i tillë edhe me persona të tjerë që janë në arrest shtëpie apo që kanë pak kohë që kanë dalë nga burgu, pasi figurojnë si votues akoma në qendrat e votimit në burgje.
Personat të cilët kanë jo shumë kohë që kanë dalë nga burgu, duhet të pajisen me vendim gjykate pranë KZAZ që të mund të votojnë, për shkak se emri i tyre figuron në qendrat e votimeve të burgjeve.


