Shpërthimi i dytë me bombë në makinë brenda dy ditësh në Rusi, plagoset ish-këshilltari i kryeministrit ukrainas pro-rus

Një shpërthim i fuqishëm në një automjet në Moskë ka plagosur rëndë Sergei Zavorotny, ish-këshilltarin e ish-kryeministrit ukrainas Mykola Azarov, i njohur për qëndrimet e tij pro-ruse.
Lajmi është konfirmuar nga Komiteti Hetimor i Rusisë, sipas të cilit Zavorotny ndodhej në timonin e automjetit kur shpërtheu bomba mëngjesin e së premtes. Ai është transportuar me urgjencë në spital, ku po merr trajtim mjekësor.
Zavorotny kishte shërbyer si këshilltar i Azarovit deri në vitin 2014, kur ky i fundit dha dorëheqjen nga posti i kryeministrit të Ukrainës dhe u largua drejt Rusisë.
Sipas raportimeve të pakonfirmuara në mediat ruse, ish-këshilltari ka humbur krahun e majtë, ndërsa ka pësuar dëmtime në tru, fraktura të brinjëve dhe thyerje të këmbës së djathtë.
Shpërthimi në Moskë ndodhi vetëm një ditë pas një tjetër incidenti të ngjashëm në Shën Petersburg, ku një bombë e vendosur në një automjet vrau një kolonel të ushtrisë ruse.
Ndërkohë, autoritetet ruse kanë nisur hetimet për ngjarjen në Moskë. Komiteti Hetimor ka njoftuar se do të kryhen disa ekspertiza, përfshirë ekzaminime mjekësore dhe analiza për identifikimin e lëndëve shpërthyese.


