I burgosuri pësoi arrest kardiak/ Komiteti Shqiptar i Helsinkit: Qëndroi në qeli pavarësisht shqetësimeve, duhej të trajtohej menjëherë

Aktualitet

I burgosuri pësoi arrest kardiak/ Komiteti Shqiptar i Helsinkit:

Komiteti Shqiptar i Helsinkit ka reaguar pas vdekjes së të paraburgosurit B.K në ambientet e IEVP “Jordan Misja”, duke ngritur akuza për mungesë trajtimi mjekësor dhe mosreagim institucional, pavarësisht gjendjes së rënduar shëndetësore të të ndjerit.

Sipas verifikimeve të Komitetit, B.K u transferua në institucionin e paraburgimit më 16 korrik 2025 dhe që në momentin e pranimit referoi probleme serioze shëndetësore si diabet nën insulinë, tension të lartë të gjakut, dislipidemi dhe një goditje ishemike të pësuar 6 muaj më parë. Ai paraqiti ankesa të vazhdueshme për dhimbje koke, dobësi trupore dhe djegie, të cilat nuk u trajtuan siç duhet nga autoritetet përgjegjëse.

Pavarësisht urdhrit për ta mbajtur nën vëzhgim, Komiteti konstaton se nuk ekzistojnë dokumente që provojnë ndonjë monitorim sistematik apo përkujdesje të vazhdueshme nga stafi mjekësor. Në natën para vdekjes, më 23 korrik, janë bërë dy matje tensioni, por për 9 orë me radhë më pas nuk ka asnjë të dhënë mbi gjendjen e tij, deri në mëngjesin e 24 korrikut kur u gjet pa ndjenja dhe më pas u konstatua i vdekur në urgjencën e QSUT.

“Me një histori të tillë mjekësore dhe ankesa të përsëritura, B.K duhej të ishte transferuar menjëherë për trajtim të specializuar jashtë ambienteve të paraburgimit”, – thekson KShH në reagimin zyrtar.

Komiteti ngre alarmin për mungesën e zbatimit të rregulloreve dhe ligjit për kujdesin shëndetësor në burgje, duke theksuar se situata përbën shkelje të nenit 3 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut që ndalon trajtimin çnjerëzor dhe degradues.

KShH kërkon një hetim të plotë dhe të pavarur nga Ministria e Drejtësisë dhe Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve për të identifikuar përgjegjësit institucionalë dhe për të shmangur raste të ngjashme në të ardhmen.

Në përfundim, Komiteti kritikon ashpër përdorimin e tepruar të masës së sigurisë “arrest në burg” për persona që nuk paraqesin rrezikshmëri të lartë, duke e konsideruar këtë praktikë si të papërputhshme me standardet ndërkombëtare dhe si shkak të drejtpërdrejtë për humbje të jetëve në sistemin e paraburgimit shqiptar.

ME TE LEXUARAT