Çfarë sjell buxheti 2026? Deputetja socialiste zbulon detaje nga rritja e pensioneve e deri tek paga minimale

Në Kuvend, diskutimet këtë të mërkurë janë përqendruar tek projektbuxheti i vitit të ardhshëm, ku çështjet kryesore mbeten rritja e pagave, e pensioneve dhe financimi i sektorëve jetikë si shëndetësia dhe arsimi.
Deputetja e PS , Zamira Sinaj zbuloi më shumë detaje në një lidhje të drejtpërdrejtë në një emision televiziv.
Sinaj u shpreh se opozita nuk ka ofruar alternativa, ndërsa qeveria garanton rritje reale të pagave, pensioneve dhe investimeve publike.
INTERVISTA E PLOTË:
Debatet kryesore janë në këtë moment për rritjen e rrogave, për rritjen e pensioneve në parlament. qeveria thotë që po bën një rritje të paparë më parë të këtyre treguesve, ndërsa opozita sigurisht mban qëndrimin krejtësisht të kundërtin. A shihni te qëndrimi i opozitës diçka konstruktive në qëndrimet apo në kritikat e saj?
Sinaj: Po, është e vërtetë që prej orës 10:00 ne jemi mbledhur sot për të votuar projektbuxhetin. Ky është një dokument shumë i rëndësishëm, pasi nuk është thjesht një akt financiar, por është një qëndrim politik, është një qëndrim institucional dhe një kontratë e hapur që kjo qeveri ka me qytetarët e vetë për një rritje ekonomike të qëndrueshme dhe për një Shqipëri drejt Bashkimit Europian. Opozita, që në fillim të seancës, ka filluar me debatet e saj, si përherë me zhurmë, me kauza dhe asnjëherë me alternativa për qytetarët e vet. Madje disa e quajtën si buxhet populist. Patjetër, ky është një buxhet pasi i përket popullit dhe fondet do të investohen për mirëqenien e njerëzve, për infrastrukturën dhe për të gjitha shërbimet që qytetarët tanë kanë nevojë.
Pra, ju nuk shihni asgjë konstruktive në kritikat e opozitës? Nuk ka diçka për të marrë prej saj?
Sinaj: Jo, nuk ka asnjë gjë. Pasi nuk është se opozita vjen me një alternativë më të mirë sesa kjo alternativë që ne kemi.
Për opozitën gjithsesi, mbeten të nënfinancuara sektorë të tillë si shëndetësia, si arsimi, dhe nuk parashikohet gjithnjë, sipas opozitës, të financohen disa vepra publike të tjera që priten nga publiku. Janë disa akse të rëndësishme rrugore si në veri, ashtu dhe në jug.
Sinaj: Si për shëndetësinë, ashtu dhe për arsimin, ne kemi një rritje të konsiderueshme në buxhet. Po ashtu, pjesa qëndrore e këtij buxheti janë politikat sociale, ku nga 1 janari paga minimale, siç dhe e përmendëm në parlament, do të shkojë në 500 euro. Nga kjo do të përfitojnë rreth 307.850 punonjës. Po ashtu, do të rritet edhe pensioni minimal si në zonat rurale, ashtu dhe në ato urbane, duke kapur shifrën rreth 40.000 lekë pra 400.000 lekë të vjetra. Tjetër gjë që u diskutua sot ishte edhe paketa fiskale. Paketa fiskale faktikisht është e hartuar, është e konceptuar me tetë projektligje. Por ajo është e konceptuar mbi bazën e platformës qeverisëse “Shqipëria 2025-2029”.


