E reja humbi jetën në aksidentin në Durrës, Fakulteti ku studionte prek me fjalët: Kujtimi i Erisës do të jetojë përherë

Një aksident i rëndë ka ndodhur mbrëmjen e së martës në qytetin e Durrësit, ndërsa një e re ka mbetur viktimë nga përplasja. 22-vjeçarja Erisa Aliaj ka qenë duke kaluar rrugën kur është përplasur nga mjeti që lëvizte me shpejtësi. Ajo është dërguar menjëherë drejt spitalit të Durrësit, por nuk ka mundur t’i shpëtojë plagëve të marra duke ndërruar jetë ditën e sotme.
Mbi ngjarjen ka reaguar dhe Fakulteti i Shkencave Politike Juridike.
“Me hidhërim të thellë po ndajmë lajmin e largimit nga jeta, si pasojë e një aksidenti të studentes tonë, Erisa Aliaj.
I shprehim ngushëllimet tona më të sinqerta për humbjen e Erisës, familjes, miqve, shokëve, pedagogëve të Fakulteti i Shkencave Politike Juridike - UAMD në Universitetin Aleksandër Moisiu, Durrës.
Erisa ishte një studente e dalluar, e cila ndiqte ciklin e dytë të studimeve në Masterin ‘Komunikim Publik’ pranë Departamentit të Shkencave Politike, pasi kishte mbaruar studimet Bachelor pranë këtij Fakulteti.
Ajo ishte një studente aktive, e cila angazhohej në të gjitha aktivitetet e Fakultetit. Erisa ishte një vajzë e dashur, me sjellje të shkëlqyer, gjithmonë në krah të shokëve e shoqeve. Ajo ishte pjesëmarrëse në disa projekte në Fakultet, ku dallohej për aftësitë dhe kompetencat, çka e bënin aq të veçantë e të respektuar mes pedagogësh e studentësh.
Në këto momente, i qëndrojmë pranë familjes.
Kujtimi i Erisës do të jetojë përherë!”, shkruhet në faqen zyrtare të fakultetit.


