Dy vatra zjarri aktive në Korçë, Prefektura: Situata nën kontroll, flakët drejt shuarjes

Dy vatra zjarri janë ende aktive në qarkun e Korçës, konkretisht në fshatin Dishnicë, në bashkinë Korçë, dhe në fshatin Strelcë, në bashkinë Maliq. Prefektura e Qarkut ka njoftuar se situata është nën kontroll dhe forcat në terren po punojnë për neutralizimin e plotë të flakëve.
Sipas deklaratës zyrtare, zjarri në Dishnicë ka intensitet të ulët, por terreni i vështirë dhe bimësia e dendur kanë penguar ndërhyrjen e shpejtë. Megjithatë, ndërhyrja është në fazën përmbyllëse dhe pritet që vatra të shuhet brenda ditës.
Ndërkohë, në Strelcë, zjarri është aktiv vetëm në pjesën veriore të zonës dhe gjithashtu me intensitet të ulët. Forcat zjarrfikëse po monitorojnë nga afër zhvillimet, duke punuar për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të flakëve.
Prefektura e Korçës bën me dije se është në gatishmëri të lartë dhe po bashkëpunon ngushtë me të gjitha strukturat përkatëse për të menaxhuar situatën me efikasitet dhe për të garantuar sigurinë e banorëve dhe mjedisit.


