Zjarret në Delvinë, 11 banesa të djegura, mbi 2 mijë banorë të evakuuar

Situata mbetet kritike në bashkinë Delvinë, ku vatrat e zjarrit vazhdojnë të jenë aktive në disa fshatra të Njësisë Administrative Vergo. Zjarri ka përfshirë zonën mes Kalasë, Tatzatit, Senicës, Vergos, Kopaçëzit dhe Palavlisë, duke shkaktuar dëme të mëdha materiale dhe duke rrezikuar jetën e banorëve.
Deri tani, janë djegur 11 banesa, përfshirë edhe kishën e fshatit Senicë, Shën Dhimitri, ndërsa mbi 2 mijë banorë janë evakuuar për shkak të rrezikut të lartë nga flakët.
Vatra më aktive ndodhet në kodrën përballë Palavlisë, si dhe në zonën mbi baxhon e fshatit Kopaçëz, ku dyshohet se zjarri është përhapur edhe në malin mbi Borsh, duke rritur ndjeshëm rrezikun për zonat përreth.
Dëmet në bujqësi, pemëtari, ullinj dhe blegtori janë të konsiderueshme, ndërsa tre persona kanë pësuar djegie nga përhapja e zjarrit.
Shërbimet zjarrfikëse dhe autoritetet lokale janë në terren, por për shkak të terrenit të vështirë dhe erës së fortë, vënia nën kontroll e flakëve mbetet e vështirë.


