At Fran Përlala, prift dhe student 57-vjeçar: “Nuk është kurrë vonë për të marrë dije”

At Fran Përlala, 57 vjeç nga Mirdita, kombinon jetën meshtarake me studimet universitare, duke ndjekur Masterin Shkencor për Inxhinieri Agro-Mjedisi në UBT. Në fundjavë ai jep mësime në Kishën Katolike në Kodër Kuqe, ndërsa gjatë javës ndjek leksionet e masterit.
Meshtari tregon se përvoja 30-vjeçare në punën me komunitetet rurale e ka shtyrë të mësojë për tokën dhe për trajtimin e kullotave, duke ndihmuar fermerët që prodhimet e tyre të jenë më të mira dhe më të qëndrueshme ekonomikisht.
“Dashuria për dijen nuk ka moshë. Fillimi ishte i vështirë, por tani ndjehem pjesë e familjes së studentëve dhe e kaloj kohën me ta sa më mirë të mundem”, shprehet At Fran.
Ai tregon se zgjedhja për të studiuar në moshën 57-vjeçare nuk është e lehtë, por për të është një mënyrë për të respektuar lirinë e të tjerëve dhe për të zgjeruar njohuritë personale. Dashuria për dijen dhe besimi i tij në Zot janë dy shtyllat që e udhëheqin në jetën akademike dhe atë hyjnore.
“Atë që nuk e di sot, mund ta mësoj nesër. Shkenca nuk të largon nga Zoti, por të ndihmon ta kuptosh më mirë”, thotë ai, duke inspiruar të gjithë që kurrë nuk është vonë për të mësuar.


