UGSH alarm për gjuhën shqipe në Maqedoninë e Veriut: Thirrje për reagim dhe protesta në Shkup

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë ka reaguar me shqetësim për moszbatimin e ligjit për përdorimin e gjuhës shqipe në Maqedonia e Veriut, duke e cilësuar situatën si shkelje të të drejtave themelore.
Në një reagim publik, UGSH thekson se si vend kandidat për në Bashkimin Europian, Maqedonia e Veriut ka detyrimin të respektojë të drejtat gjuhësore të shqiptarëve, të garantuara me Kushtetutë dhe ligje në fuqi.
Sipas tyre, ka raste konkrete ku gjuha shqipe nuk përdoret në dokumente zyrtare, shërbime publike apo komunikim institucional.
Organizata u ka bërë thirrje mediave dhe gazetarëve në vend që të raportojnë çdo shkelje me objektivitet, ndërsa ka mbështetur edhe reagimet qytetare dhe nismat për protesta.
Ndërkohë, studentët shqiptarë kanë paralajmëruar një protestë më 6 prill në Shkup, pasi kundërshtojnë mosofrimin e provimeve universitare edhe në gjuhën shqipe.
Ata kërkojnë zbatim të plotë të Ligjit të Gjuhëve dhe trajtim të barabartë në institucionet arsimore.
UGSH i ka bërë gjithashtu thirrje institucioneve shqiptare dhe partnerëve ndërkombëtarë që të reagojnë dhe të kërkojnë garantimin e të drejtës për përdorimin e gjuhës amtare, duke e konsideruar këtë çështje kyçe për bashkëjetesën dhe stabilitetin në vend.


