Çëmçakëzi që përgjum fëmijët/ Dalin rezultatet e analizave, ja çfarë lënde përmban substanca e gjelbër

Dy ditë pas një denoncimi për një tabletë që konsumohej nga nxënësit si çamçakëz dhe që shkaktonte përgjumje, policia ka bërë të ditur se ka sekuestruar tabletën në një shkollë në Yzberisht.
Sipas analizave të kryera, kjo tabletë nuk përmban lëndë psikotrope, por rezulton se ka në përbërje vitaminë E.
Rasti u bë i njohur pas një raportimi nga një mësuese e një shkolle 9-vjeçare, e cila kishte vënë re se disa nxënës po përdornin një substancë që kishte formën e një çamçakëzi dhe që shkaktonte përgjumje. Ajo e njoftoi menjëherë prindërit për të parandaluar përdorimin e saj.
Njoftimi i policisë:
Në vijim të njoftimit të dhënë ditën e premte, më datë 25.10.2024, për një substancë në formë tableti, në ngjyrë jeshile, që dyshohet se përgjum fëmijët, ju njoftojmë se:
Në vijim të kontrolleve të ushtuara, në një shkollë në Yzberisht është sekuestruar një tabletë në ngjyrë jeshile dhe nga analizat përkatëse në sektorin e toksikologjisë pranë ISHP, është arritur në përfundimin që nuk ka prani të ndonjë lënde psikotrope dhe rezulton të ketë në përbërje vitaminë E.
Pavarësisht këtij rezultati të nxjerrë, strukturat e Policisë do të vazhdojnë kontrollin dhe monitorimin në të gjitha shkollat.


