“Tërmet” në pikën kufitare të Qafë Botës, arrestohen 14 punonjësit grekë, në pranga dhe shefi i Zyrës Doganore

Autoritetet greke kanë ndërmarrë zhvillimin e një aksioni duke çuar në arrestimin e 14 punonjësve doganorë në total të punësuar në pikën kufitare të Qafë Botës.
Në pranga ka rënë dhe shefi i stacionit kufitar, pas një kontrolli të imtësishëm të zhvilluar në zyrën e tij. Të gjithë personat e arrestuar dyshohet se janë përfshirë në raste korrupsioni, ryshfeti e shkelje të detyrës.
Departamenti i Punëve të Brendshme i Policisë greke ka bërë me dije se procesi hetimor shtrihet në harkun kohor disa mujor, nisur që prej nëntorit të kaluar ku të gjithë punonjësit doganorë u vendosën në monitorim të detajuar.
Funksionimi i pikës kufitare nga pala greke u ndërpre afërsisht për 5 orë që prej mëngjesit të sotëm, duke lejuar vetëm kalimin e këmbësorëve, për të rinisur më pas punën në mesditë teksa punonjësit u transferuan nga porti i Igumenicës në Qafë Botë, me qëllim që stacioni të mbetej i hapur.
Ndërkohë raportojmë që nga pala shqiptare nuk ka pasur pengim të procesit të punës apo krijim të radhës nga automjetet.


