Aksion “LAST DRIVE II”/ U kap duke transportuar një pistoletë me qëllim trafikimin, arrestohet i riu (EMRI)

Një rast i tentativës për trafikim të armëve të zjarrit është goditur nga Policia e Tiranës, pas një operacioni të mirëorganizuar nga Forca e Posaçme Operacionale në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme.
Operacioni i koduar “LAST DRIVE II” u finalizua në Kamëz, ku u bë e mundur kapja në flagrancë dhe arrestimi i shtetasit Ervis Cara, 29 vjeç, banues në Krujë. I riu nuk është një emër i panjohur për drejtësinë, pasi më parë rezulton i dënuar për veprën penale “Trafikimi i mjeteve motorike”.
Sipas njoftimit zyrtar, ndërhyrja e forcave të rendit u krye mbi bazën e informacioneve të siguruara në rrugë operative se 29-vjeçari po qarkullonte me armë zjarri në automjet me qëllim trafikimin e saj.
Gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin që ai drejtonte, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan një armë zjarri pistoletë. bashkë me mjetin dhe një aparat celular.
Më tej, gjatë kontrollit të detajuar të ushtruar në banesën e të arrestuarit në Krujë, uniformat e pluta gjetën dhe sekuestruan edhe një armë gjahu pa leje me 50 fishekë, si dhe një bllok shënimesh ku dyshohet se mbaheshin shënime për shuma të ndryshme parash.
Përveç veprës penale të trafikimit të armëve, ndaj 29-vjeçarit ka nisur menjëherë edhe hetimi pasuror nga struktura të specializuara.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprat penale “Trafikimi i armëve dhe municionit” dhe “Fshehja e të ardhurave”.


