63 vite nga vr'asja e John F. Kennedy-t, ate'ntati që tronditi botën dhe misteret që vijojnë të mbeten

Më 22 nëntor 1963, Shtetet e Bashkuara dhe e gjithë bota u tronditën nga lajmi për vrasjen e presidentit amerikan John Fitzgerald Kennedy. Kreu i 35-të i Shtëpisë së Bardhë u qëllua për vdekje gjatë një vizite në Dallas të Teksasit, teksa udhëtonte me një limuzinë të hapur, pranë bashkëshortes së tij, Jacqueline Kennedy.
Kennedy ishte vetëm 46 vjeç dhe kishte më pak se tre vite në krye të presidencës amerikane. Gjatë kësaj periudhe, ai ishte përballur me disa prej momenteve më të rëndësishme të Luftës së Ftohtë, përfshirë krizën e raketave kubane, ndërsa kishte mbështetur edhe përpjekjet për luftimin e diskriminimit racor në SHBA.
Sot, 63 vite pas atentatit, vrasja e tij vazhdon të mbetet një nga ngjarjet më misterioze dhe më të debatuara në historinë moderne amerikane. Pavarësisht hetimeve zyrtare, pyetjet mbi rrethanat e atentatit dhe mundësinë e një komploti kanë ushqyer për dekada teori të shumta konspirative.
Atentati në Dallas dhe arrestimi i të dyshuarit
Mëngjesin e 22 nëntorit 1963, Kennedy ndodhej në Teksas në kuadër të një vizite me rëndësi politike, ndërsa përgatitej për zgjedhjet presidenciale të vitit pasardhës. Pak pas orës 12:30, ndërsa autokolona presidenciale po kalonte nëpër rrugët e Dallasit, u dëgjuan disa të shtëna.
Kennedy u godit në qafë dhe në kokë, ndërsa guvernatori i Teksasit, John Connally, i cili udhëtonte në të njëjtën limuzinë, mbeti i plagosur rëndë. Presidenti u transportua me urgjencë në Spitalin Parkland, ku mjekët u përpoqën ta shpëtonin, por pak kohë më vonë ai u shpall i vdekur.
Pamjet e atentatit, të regjistruara nga Abraham Zapruder, u kthyen në një nga dokumentet filmike më të njohura të historisë amerikane.
Brenda pak orësh, zëvendëspresidenti Lyndon B. Johnson u betua si presidenti i ri i Shteteve të Bashkuara.
Autoritetet arrestuan 24-vjeçarin Lee Harvey Oswald, një ish-pjesëtar të Marinës Amerikane, si të dyshuar për vrasjen. Por vetëm dy ditë më vonë, më 24 nëntor, ai u qëllua për vdekje nga Jack Ruby, pronar i një klubi nate në Dallas, ndërsa po transportohej nga policia. Ngjarja u transmetua drejtpërdrejt në televizion.
Oswald nuk doli kurrë në gjyq dhe nuk pati mundësi të jepte versionin e tij për atentatin. Komisioni Warren, i ngritur për hetimin e vrasjes, arriti në përfundimin se ai kishte vepruar i vetëm dhe se nuk kishte prova për një komplot më të gjerë. Megjithatë, dyshimet nuk u shuan. Publikimi i dokumenteve të klasifikuara ndër vite, përfshirë dhjetëra mijëra dokumente nga administrata e Donald Trump, ka rikthyer vazhdimisht interesin për çështjen.
Nga familja e pasur te Shtëpia e Bardhë
John Fitzgerald Kennedy lindi më 29 maj 1917 në Brookline të Massachusetts, në një familje të pasur dhe me ndikim politik. Ai ishte një nga nëntë fëmijët e Joseph dhe Rose Kennedy. Babai i tij ishte biznesmen i suksesshëm dhe shërbeu si ambasador i SHBA-së në Britaninë e Madhe.
Kennedy studioi në Universitetin e Harvardit dhe gjatë Luftës së Dytë Botërore shërbeu në Marinën Amerikane. Në vitin 1943, ndërsa komandonte anijen torpedo PT-109 në Paqësor, ajo u godit nga një destrojer japonez. Kennedy ndihmoi në shpëtimin e anëtarëve të ekuipazhit që mbijetuan dhe u vlerësua me disa dekorata ushtarake.
Pas luftës nisi karrierën politike. Në vitin 1946 u zgjodh në Dhomën e Përfaqësuesve, ndërsa në vitin 1952 fitoi një vend në Senat. Në vitin 1953 u martua me Jacqueline Bouvier.
Në zgjedhjet presidenciale të vitit 1960, Kennedy përfaqësoi Partinë Demokratike në garën përballë republikanit Richard Nixon. Pas një gare shumë të ngushtë, ai fitoi me rreth 49.7% të votave, kundrejt 49.6% të rivalit të tij.
Më 20 janar 1961, në moshën 43-vjeçare, u betua si presidenti i 35-të i SHBA-së, duke u bërë presidenti më i ri i zgjedhur në historinë amerikane dhe i pari katolik që mbante këtë post.
Kriza e raketave kubane dhe përballja me Bashkimin Sovjetik
Presidenca e Kennedy-t u zhvillua në një nga periudhat më të tensionuara të Luftës së Ftohtë. Në prill të vitit 1961, zbarkimi i forcave kundërshtare të Fidel Kastros në Gjirin e Derrave në Kubë, i mbështetur nga SHBA-ja, përfundoi me disfatë.
Momenti më kritik erdhi në tetor 1962, kur u zbulua vendosja e raketave bërthamore sovjetike në Kubë. Për 13 ditë, bota u gjend në prag të një konflikti bërthamor mes dy superfuqive.
Pas negociatave mes Kennedy-t dhe udhëheqësit sovjetik Nikita Hrushov, u arrit marrëveshja për tërheqjen e raketave nga Kuba dhe shmangien e një lufte me pasoja katastrofike.
Në qershor 1963, gjatë një vizite në Berlinin Perëndimor, Kennedy mbajti një fjalim historik në mbështetje të qytetarëve të qytetit, duke shqiptuar frazën e famshme “Ich bin ein Berliner”.
Lufta kundër diskriminimit racor dhe trashëgimia politike
Në politikën e brendshme, Kennedy mbështeti lëvizjen për të drejtat civile dhe përpjekjet për t'i dhënë fund segregacionit racor në SHBA. Administrata e tij promovoi ndryshime për garantimin e të drejtave të afrikano-amerikanëve dhe ndërhyri në disa raste për mbrojtjen e aktivistëve, përfshirë Martin Luther King Jr.
Gjatë presidencës së tij u zhvilluan edhe programe ndërkombëtare si Korpusi i Paqes, Ushqim për Paqe dhe Aleanca për Progresin në Amerikën Latine.
Kur mbërriti në Dallas në nëntor 1963, Kennedy po përgatitej të kërkonte një mandat të dytë në zgjedhjet e vitit 1964. Por atentati i ndërpreu jetën dhe presidencën, e cila zgjati vetëm 1,036 ditë.
Vdekja e tij shkaktoi një tronditje të madhe në SHBA dhe në mbarë botën. Më shumë se gjashtë dekada më vonë, John F. Kennedy vazhdon të jetë një nga figurat më të njohura të historisë amerikane, ndërsa rrethanat e vrasjes së tij dhe dyshimet për një komplot mbeten objekt debatesh mes historianëve dhe publikut.


