25 kg kokainë dhe 30 mijë euro cash, kapen dy shqiptarët në Rimini

Një operacion i Policisë italiane në provincën e Riminit ka çuar në arrestimin e dy shtetasve shqiptarë, 46 dhe 34 vjeç, të dyshuar për trafikim droge.
Hetimi u zhvillua nga ekipet e Policisë së Shtetit në Rimini dhe Forli-Cesena, në bashkëpunim me komisariatin e Cesenas. Gjatë monitorimit të territorit, hetuesit vunë re lëvizje të dyshimta të dy personave në Morciano di Romagna.
Sipas policisë italiane, të shtunën pasdite dy shqiptarët po transportonin një çantë të madhe me një automjet Citroen C3. Kontrolli i mjetit dhe i çantës çoi në zbulimin e 20 pakove me kokainë, me peshë totale mbi 22 kilogramë.
Hetimet vijuan në Cesena, ku policia identifikoi një tjetër ambient në përdorim të njërit prej të arrestuarve. Gjatë kontrollit të banesës u gjetën rreth 2.7 kilogramë të tjera kokainë, të fshehura në një ndarje të sajuar brenda një mobilie televizori.
Në të njëjtin ambient, autoritetet sekuestruan edhe rreth 29,500 euro cash, si dhe materiale që dyshohet se përdoreshin për paketimin e lëndës narkotike.
Në total, operacioni çoi në sekuestrimin e më shumë se 25 kilogramëve kokainë. Sipas vlerësimit të policisë italiane, droga do të kishte një vlerë të mundshme rreth 10 milionë euro në tregun e paligjshëm.
Dy shqiptarët u arrestuan dhe u dërguan në burgun e Riminit. Ata akuzohen, në bashkëpunim, për posedim të lëndëve narkotike me qëllim shpërndarjen, ndërsa 34-vjeçari përballet edhe me akuzën për sasinë e gjetur në banesën e tij në Cesena.


