FOTO/ Lufta në Ukrainë zhvendoset nën tokë, ushtarët jetojnë prej shtatë muajsh në një tubacion sovjetik gazi

Lufta në Ukrainë po merr një dimension të ri, këtë herë nën tokë. Prej shtatë muajsh, ushtarët ukrainas po përdorin një tubacion të vjetër sovjetik gazi në rajonin e Harkivit për të lëvizur, furnizuar trupat dhe luftuar kundër forcave ruse.
Tuneli, me diametër pak më shumë se një metër, ofron mbrojtje nga dronët dhe bombardimet që kanë vështirësuar ndjeshëm lëvizjen në vijën e frontit, shkruan BBC.
Përballë mbizotërimit të dronëve në qiellin mbi frontin e luftës, ushtria ukrainase po përdor gjithnjë e më shumë hapësirat nëntokësore për të mbajtur pozicionet dhe për të avancuar kundër forcave ruse.
Një nga operacionet më të pazakonta po zhvillohet në rajonin e Harkivit, ku ushtarët ukrainas kanë kaluar muaj të tërë brenda një tubacioni të vjetër sovjetik gazi, duke jetuar dhe luftuar në kushte jashtëzakonisht të vështira.
Me një diametër pak më shumë se një metër, tubacioni është aq i ngushtë sa ushtarët duhet të lëvizin duke u zvarritur. Megjithatë, ai u ofron një avantazh të rëndësishëm: mbrojtje nga dronët, predhat e artilerisë dhe bombat rrëshqitëse që kontrollojnë hapësirën ajrore mbi vijën e frontit.
“Luftimi nëntokë është tashmë e vetmja mundësi”, thotë Zanuda, një prej personave që ka ndihmuar në planifikimin e operacionit ukrainas.
Ai e përshkruan këtë mënyrë luftimi si një botë krejtësisht të re, por pranon se kushtet janë shumë të vështira.
“Në sipërfaqe ke gjithmonë njëfarë hapësire për të manovruar, por këtu mund të përballesh me armikun vetëm ballë për ballë”, shpjegon ai.

Operacioni ukrainas, i koduar “Veles”, sipas emrit të një hyjnie mitologjike sllave të botës së nëndheshme, nisi në prill. Që prej asaj kohe, forcat ukrainase pretendojnë se kanë avancuar rreth 15 kilometra përgjatë tubacionit, në një operacion që ka kërkuar muaj të tërë pune dhe përballje të vazhdueshme me rrezikun.
Sipas raportimit të BBC-së, trupat ruse kishin qenë të parat që kishin shfrytëzuar këtë tubacion për të depërtuar në qytetin e Kupianskut, në shtator të vitit 2025.
Rusia kishte përdorur më parë tubacione nëntokësore edhe gjatë operacioneve në Avdiivka, në vitin 2024, si dhe në përpjekjet për të rimarrë territore në rajonin rus të Kurskut. Por këtë herë, ukrainasit kanë arritur të përmbysin gradualisht situatën.
Për lëvizjen e trupave dhe transportimin e furnizimeve, ata kanë ndërtuar një karrocë elektrike të posaçme, të cilën e kanë pagëzuar me emrin “Metroja e Kupianskut”.
Udhëtimi brenda tubacionit zgjat dhjetëra minuta. Hapësira është aq e kufizuar sa ushtarët duhet të mbajnë kokën ulur dhe këmbët të mbledhura gjatë gjithë rrugës.
Destinacioni është një hapësirë e zgjeruar brenda tubacionit, ku ukrainasit kanë ndërtuar vendstrehime të vogla për municionet dhe pajisjet ushtarake.

Një prej ushtarëve, i njohur me nofkën “Muzikanti”, ka kaluar tre muaj në këto kushte. Gjatë kësaj periudhe, ai ka dalë vetëm disa herë në sipërfaqe, kryesisht për t’u pastruar ose për të kryer nevojat personale. Edhe pse ndodhen pranë vijës së kontaktit, ai thotë se poshtë tokës ndihen më të sigurt.
“Por këtu poshtë është e sigurt”, shprehet ai, duke iu referuar mbrojtjes që ofron tubacioni nga sulmet ajrore.
Një tjetër ushtar, Vovochka, i cili kishte kaluar tri javë duke luftuar në sipërfaqe, thotë se kushtet në tubacion janë më të favorshme.
“Është më komode në tubacion, sepse këtu nuk fluturojnë dronët dhe as nuk bien predha artilerie apo bomba rrëshqitëse”, deklaron ai.
Megjithatë, edhe hapësira nëntokësore nuk është pa rrezik. Brenda tubacionit janë zhvilluar përleshje të drejtpërdrejta, ndërsa të dyja palët kanë krijuar pozicione të fortifikuara.
Në operacion kanë marrë pjesë edhe ushtarë të Brigadës së 13-të Khartiia të Gardës Kombëtare të Ukrainës. Detyra e tyre e parë ishte pastrimi i tubacionit nga mbeturinat, uji dhe barrikadat e vendosura nga forcat ruse.
Sipas dëshmive të ushtarëve, disa prej pengesave ishin të minuara ose përmbanin trupa të pajetë të ushtarëve rusë.
“Kur i lëviznim ose përpiqeshim t’i kapërcenim, nuk e kishim idenë se çfarë kishte poshtë tyre”, tregon një prej ushtarëve, i identifikuar me nofkën Chyzh.
Ai përmend edhe rrezikun nga plumbat që mund të rikoshetonin brenda tubacionit, duke e bërë të paparashikueshëm drejtimin e tyre.
Një tjetër ushtar, Kort, kujton përleshjet me trupat ruse:
“Ne të gjithë qëllonim, po i shtynim ata prapa”.
Sipas ushtrisë ukrainase, gjatë operacionit janë vrarë më shumë se 100 ushtarë rusë dhe janë kapur 30 të tjerë robër.
“Po, kishte trupa të pajetë. Madje më është dashur të flija pranë tyre”, rrëfen Kort.
Jeta për muaj të tërë në një tubacion kaq të ngushtë ka shkaktuar probleme fizike dhe psikologjike te ushtarët. Komandanti Biashym, i cili mban kontakte të vazhdueshme me trupat brenda tubacionit, tregon se shumë prej tyre vuajnë nga gërvishtjet dhe dëmtimet e shkaktuara nga qëndrimi i gjatë në gjunjë.
Disa kanë përjetuar edhe sulme paniku për shkak të hapësirës së mbyllur, ndërsa të tjerë kanë pasur vështirësi në frymëmarrje. Përvoja e mëparshme e komandantit si minator ka ndihmuar në përgatitjen e ushtarëve për sfidat fizike dhe psikologjike të këtij operacioni.

Në mision janë përfshirë edhe qindra vullnetarë kolumbianë, pjesë e Regjimentit të 23-të të Sulmit RUG. Njëri prej tyre, i njohur me nofkën Gecko, tregon se grupit iu deshën 30 ditë vetëm për të pastruar një segment prej 500 metrash.
“Ishte e vështirë, ishte nxehtë dhe kisha frikë brenda tubacionit. Por në një moment thjesht mendova: në rregull, përballoje dhe vazhdojmë përpara”, rrëfen ai.
Përleshjet në tubacion vazhdojnë. Edhe forcat ruse kanë krijuar pozicione të fortifikuara dhe përpiqen të depërtojnë në zonat e kontrolluara nga ukrainasit përmes hapësirave nëntokësore.
BBC raporton se gjatë vizitës në një qendër kontrolli mbi tokë, u vëzhgua një tjetër përpjekje ruse për të anashkaluar pozicionet ukrainase, e cila u godit nga dronët e Kievit.
Operacioni është zhvilluar në disa fronte njëkohësisht: nën tokë, në sipërfaqe dhe në ajër. Zanuda beson se kjo mënyrë luftimi mund të bëhet pjesë e rëndësishme e konflikteve të ardhshme.
“Operacionet tokësore janë tashmë pothuajse të pamundura”, thotë ai, duke shtuar se “të gjithë e kuptojnë se, për momentin, mënyra e vetme për të luftuar është nën tokë”.
Ai parashikon se do të ketë edhe misione të tjera të ngjashme, duke kujtuar se Ukraina ka një rrjet të gjerë tubacionesh të ndërtuara gjatë periudhës sovjetike për transportimin e naftës, gazit dhe amoniakut drejt Europës.
Megjithatë, pavarësisht suksesit të pretenduar të operacionit, rezultatet nuk kanë ndryshuar rrjedhën e përgjithshme të luftës.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, e ka përshëndetur operacionin si një sukses, pasi sipas Kievit ai ka ndihmuar në rimarrjen e territoreve të humbura dhe ka rritur moralin e trupave.
Por shifrat tregojnë edhe vështirësinë e jashtëzakonshme të misionit: shtatë muaj për të pastruar dhe avancuar 15 kilometra në një tubacion të errët, të ngushtë dhe të rrezikshëm. Për Ukrainën, pavarësisht përparimit nën tokë, ende nuk duket drita në fund të tunelit.


