Zvicër/ Konflikti nisi në një dhomë hoteli, plagoset me thikë 24-vjeçari shqiptar, arrestohen 3 të dyshuar

Një 24-vjeçar shqiptar nga Kosova është plagosur me thikë në Dällikon në Zvicër pas një përleshje me disa persona. Ngjarja ka ndodhur gjatë një konflikti në një dhomë hoteli teksa një kalimtar ka njoftuar shërbimet e emergjencës pasi e ka parë të riun të plagosur.
Policia i dha atij ndihmën e parë, ndërsa më pas u transportua me ambulancë në spital ku raportohet se i riu kishte marrë plagë në krah dhe në pjesën e sipërme të trupit.
Sipas mediave të huaja policia Kantonale e Zyrihut ka arrestuar tre persona, dy suedezë dhe një slloven, të moshës 20 deri në 33 vjeç, të cilët dyshohen se kanë qenë të përshirë në përleshje.
Ndërkohë rrethanat dhe motivi i saktë i konfliktit nuk dihen ende, teksa policia e Zyrihut po merret me zbardhjen e plotë të ngjarjes.


