Zjarret në Peqin vijojnë me intensitet të lartë, pritet ndërhyrje nga ajri! Vatër edhe në Rrilë të Lezhës

Zjarret në Peqin vijojnë me intensitet të lartë edhe mëngjesin e kësaj të shtune. Operacioni për shuarjen e flakëve ka nisur që në orën 05:00, ndërsa në terren janë angazhuar qindra forca nga 11 bashki, bashkë me Forcat e Armatosura.
Vatrat aktive janë në njësitë administrative Përparim dhe Pajovë, ndërsa era favorizon përhapjen e flakëve. Mjetet zjarrfikëse janë pozicionuar pranë zonave të banuara për mbrojtjen e shtëpive, pasi një natë më parë u dogj një banesë e vjetër, e pabanuar.
Krahas ndërhyrjes nga toka, pritet që sot të vijojë ndërhyrja nga ajri.
Ndërkohë, një tjetër vatër zjarri është aktivizuar që prej orëve të mëngjesit në zonën e Myltes, në Rrilë të Lezhës.
Flakët janë përhapur në një sipërfaqe të gjerë me ferra dhe shkurre, duke avancuar drejt zonës së Grykës së Lumit, të favorizuara edhe nga era. Forcat zjarrfikëse ndodhen në terren dhe po punojnë për vënien nën kontroll të zjarrit.


