Shpopullimi si në “luftë” / Shqipëria e dyta pas Ukrainës në listën e vendeve që po zbrazen

Shqipëria e dyta mes 20 vendeve evropiane që parashikohet të përjetojnë rënien më të madhe të popullsisë midis viteve 2025 dhe 2100
Krijuar nga analisti Emmanuel Motelin, grafiku kombinon modelet demografike afatgjata nga Eurostat EUROPOP2025 për shtetet anëtare të BE-së dhe atyre kandidate ku bën pjesë Shqipëria.
Tkurrjen më të madhe do ta pësojnë vendet e Europës Lindore dhe Ballkani. Shqipëria pas Ukrainës

Gjashtë vende parashikohet të humbasin të paktën gjysmën e popullsisë së tyre të vitit 2025 deri në fund të shekullit, të udhëhequra nga Ukraina (-61.5%), Shqipëria (-57%) dhe Bosnja dhe Hercegovina (-56%).
Popullsia e Ukrainës, e përfshirë prej vitit 2022 në luftë, në vitin 2026 vlerësohet rreth 39.5 milionë banorë sipas projektimeve të OKB-së dhe Worldometer, ndërsa në territorin e kontrolluar aktualisht nga qeveria ukrainase jetojnë rreth 28.5 milionë banorë.
Ashtu si në rastin e Ukrainës, edhe për Shqipërinë ekziston një dallim i dukshëm midis matjeve zyrtare brenda vendit dhe vlerësimeve të organizatave ndërkombëtare.
Popullsia e Shqipërisë, e papërfshirë në luftë, vlerësohet për vitin 2026 sipas INSTAT, bazuar në regjistrimin e popullsisë (Censi 2023) në matjet e banorëve rezidentë që jetojnë realisht në vend, popullsia në vitin 2026 është rreth 2.34 milionë banorë.
Worldometer (që mbështeten në modelet e OKB-së të cituara në grafik) e vlerësojnë popullsinë e Shqipërisë në vitin 2026 rreth 2.75 milionë banorë. Diferenca prej rreth 400 mijë banorësh vjen sepse modelet e OKB-së ende nuk kanë reflektuar plotësisht emigracionin e lartë të viteve të fundit të zbuluar nga Censi i vitit 2023.
Sipas skenarit të mesëm të OKB-së të pasqyruar në grafik (rënie me -57%), popullsia e Shqipërisë pritet të zbresë në rreth 1.18 milionë banorë deri në fund të shekullit.
Shqipëria sipas projektimit do të zbresë në shifrat e popullsisë që regjistroi para Luftës së Dytë Botërore.
Rëniet e mëdha nxiten nga normat e ulëta të lindshmërive, shoqëritë që po plaken me shpejtësi dhe migrimi i lartë jashtë midis të rriturve në moshë pune.
Veç rajonit të Ballkanit Perëndimor, vendet kryesore të Bashkimit Evropian përballen gjithashtu me rënie të ndjeshme afatgjata, përfshirë Poloninë (-31.6%), Greqinë (-30.1%), Rumaninë (-24.3%) dhe Italinë (-24.0%).
Popullsia e Europës ashtu si në dekadat e fundit do të mbetet e përqendruat në perëndim.


