Dita Botërore e Diabetit / Mbi 100 mijë persona në trajtim në Shqipëri, afro 50% nuk janë ende të diagnostikuar

Në prag të Ditës Botërore të Diabetit, që shënohet çdo vit më 14 nëntor, mjekët bëjnë thirrje për më shumë kontrolle për diagnostikim të hershëm.
Aktualisht në Shqipëri, mbi 100 mijë persona janë në trajtim për diabetin, ndërsa çdo vit diagnostikohen rreth 8 deri në 10 mijë raste të reja. Megjithatë, shqetësues mbetet fakti se afro gjysma e personave që mund të vuajnë nga diabeti edhe ende e dinë. Rreth 400 fëmijë po trajtohen për këtë sëmundje.
Shefi i Shërbimit të Endokrinologjisë, QSUT, Florian Toti tha se numri i personave të diagnostikuar me diabet vijon të rritet, ndërsa shqetësues mbetet fakti se një pjesë e konsiderueshme e të prekurve nuk janë ende në dijeni të sëmundjes.
“Shifra e personave me diabet në Shqipëri e ka kaluar numrin e 100 mijë personave të trajtuar, por nuk duhet të harrojmë se ka gati edhe 50% të tjerë që janë me diabet, por ende nuk e dinë. Çdo vit shtohen nga 8 deri në 10 mijë raste të reja. Sot ka 300-400 fëmijë me diabet.”- u shpreh Toti.
Mjekët endokrinologë theksojnë se ka shtim të rasteve me diabet të tipit 1 tek fëmijët. Për vitin e ardhshëm pritet të nisë rimbursimi i sensorëve të monitorimit të glukozës për këtë kategori. Ndër shkaqet që ndikojnë në shtimin e rasteve me diabet renditen trashëgimia, plakja e popullsisë, ushqyerja jo e shëndetshme dhe mungesa e aktivitetit fizik.


