Zbuten tensionet mes SHBA-së dhe Iranit, çmimi i naftës bie me 6.7% pas sinjaleve për rifillimin e dialogut

Bota

Zbuten tensionet mes SHBA-së dhe Iranit, çmimi i naftës bie me

Çmimet e naftës kanë pësuar një rënie të ndjeshme në tregjet ndërkombëtare, pas sinjaleve se diplomacia mund të rikthehet në qendër të përpjekjeve për zgjidhjen e konfliktit mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit.

Nafta bruto amerikane WTI ra deri në 6.7%, duke zbritur në 97.1 dollarë për fuçi. Në të njëjtën kohë, edhe nafta Brent, referenca kryesore për tregjet ndërkombëtare, regjistroi një rënie prej 6.7%, duke arritur në 105.86 dollarë për fuçi.

Rënia u përshpejtua pas deklaratave të presidentit iranian, Masoud Pezeshkian, i cili bëri të ditur se qeveria e Teheranit po kërkon një zgjidhje përmes dialogut. Sipas agjencisë shtetërore të lajmeve IRNA, Pezeshkian deklaroi se Udhëheqësi Suprem, Mojtaba Khamenei, i ka dhënë qeverisë kompetencat e nevojshme për të ndjekur këtë proces.

Gjatë një takimi me guvernatorët e provincave, presidenti iranian theksoi se vendi i tij nuk mund të detyrohet të dorëzohet përmes konfliktit, duke shtuar se Teherani kundërshton kërkesat që i konsideron të tepruara.

Ndërkohë, pritshmëritë për rifillimin e negociatave mes Uashingtonit dhe Teheranit kanë ndikuar pozitivisht edhe në tregjet financiare. Bursat kryesore evropiane kanë regjistruar rritje, ndërsa kontratat e së ardhmes në Wall Street kanë shfaqur ecuri pozitive.

Në Evropë, Milano shënoi rritje me 0.5%, Madridi me 0.8%, Parisi me 0.3% dhe Frankfurti me 0.2%, ndërsa Londra regjistroi një rënie të lehtë prej 0.1%.

Edhe çmimi i gazit natyror ka ndjekur të njëjtën tendencë, duke rënë me 8.5% në 95 euro për megavat/orë.

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion