“Nuk ka shans të shqiptoj mesazhet që më janë vënë në gojë”/ Toni Gogu pranon takimin me Veliajn në burgun e Fierit: E kam mik që herët!

Politikë

“Nuk ka shans të shqiptoj mesazhet që më janë

Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, ka reaguar pas raportimeve për takimin e tij me kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj, në burgun e Fierit, si dhe pretendimeve se gjatë këtij takimi i kishte përcjellë një mesazh kërcënues në emër të kryeministrit Edi Rama.

Gogu konfirmon se është takuar me Veliajn të premten, por mohon kategorikisht pretendimet se i ka përcjellë ndonjë mesazh politik apo kërcënim nga ana e kryeministrit.

Ministri shpjegon se vizita është kryer në kuadër të përgjegjësive të tij institucionale, me qëllim njohjen nga afër me kushtet e trajtimit të Veliajt dhe dëgjimin e ankesave të bëra publike nga avokati i tij.

Ai thekson se me kryebashkiakun e Tiranës e lidh një miqësi e hershme, ndërsa shprehet i befasuar nga ato që i cilëson të pavërteta të publikuara në media.

Gogu shton se rrethanat e vizitës janë të dokumentuara dhe të verifikueshme, duke mohuar se mund të ketë shqiptuar mesazhet që i janë atribuar.

Reagimi i plotë i ministrit të Drejtësisë, Toni Gogu:

“Më vjen thellësisht keq për të pavërtetat që janë publikuar sot lidhur me vizitën time në IEVP Fier.

Po, e kam takuar Erion Veliajn të premten. Në ushtrim të përgjegjësive të mia si Ministër i Drejtësisë, kam shkuar për t’u njohur me kushtet e trajtimit të tij dhe për të dëgjuar ankesat e shprehura publikisht nga avokati i tij.

Me Erionin më lidh një miqësi shumë e hershme, të cilën e dinë të gjithë.

Por dua të jem krejt i qartë: Nuk i gjej dot arsyet pse janë stisur ato të pavërteta dhe nuk dua ta besoj që i ka thënë apo shkruar Erioni.

Kush më njeh e di se nuk ka asnjë shans, në këtë botë apo në tjetrën, që unë të shqiptoj ‘mesazhet’ që më janë vënë në gojë. Jam vërtet i befasuar.

Kam shkuar për të dëgjuar shqetësimet e një njeriu pas një tymnaje mediatike dhe shqetësimeve të kuptueshme të kujtdo që shqetësohet kur flitet për liri e të drejta. Rrethanat e vizitës janë të dokumentuara dhe të verifikueshme.

Për të tjerat, koha dhe e vërteta ecin dorë për dore.”

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion