Protesta para Kryeministrisë/ Policia shoqëron me forcë 6 qytetarë, ndërhyrja ndodh në përfundim të tubimit paqësor

Gjashtë qytetarë janë shoqëruar me forcë nga policia gjatë protestës së zhvilluar këtë të hënë para Kryeministrisë, ku studentë dhe qytetarë kanë vijuar tubimin e tyre kundër qeverisë Rama.
Ndonëse protesta është zhvilluar në mënyrë paqësore dhe nuk janë raportuar incidente apo përplasje mes protestuesve dhe efektivëve, policia ka ndërhyrë duke shoqëruar gjashtë persona.
Sipas informacioneve, qytetarët janë kapur teksa po largoheshin nga turma e protestuesve pranë godinës së Kryeministrisë. Ata janë marrë me forcë nga efektivët dhe janë futur në automjetet e policisë.

Shoqërimet kanë ndodhur pavarësisht se tubimi nuk është shoqëruar me akte dhune apo konfrontime, ndërsa mbetet e paqartë se për çfarë arsyesh gjashtë qytetarët janë marrë nga policia.


