Zbritjet e rreme dhe ofertat mashtruese, BE i vë kushte Temu-t: Çfarë do të ndryshojë?

Platforma e njohur e blerjeve online Temu është angazhuar të ndryshojë një sërë praktikash tregtare, pas shqetësimeve të ngritura nga autoritetet europiane për mënyrën se si ndërvepron me konsumatorët. Kompania ka pranuar të përshtatë praktikat e saj me rregullat e Bashkimit Europian për mbrojtjen e konsumatorit, bëri të ditur sot Komisioni Europian.
Angazhimet e platformës vijnë pas shqyrtimit të disa praktikave që mund të çorientojnë blerësit ose të ndikojnë në vendimet e tyre përmes presionit dhe informacioneve të paqarta.
Mes problematikave të evidentuara janë zbritjet e rreme, komentet e manipuluara, mesazhet që krijojnë përshtypjen se ofertat janë të disponueshme vetëm për një kohë të kufizuar, si dhe mungesa e transparencës në informacionin që u jepet klientëve.
Një prej ndryshimeve të kërkuara lidhet me mekanizmat promocionalë që përdoren për të nxitur blerjet. Temu është angazhuar të mos përdorë më lojëra të detyruara, si rrotullimi i rrotës për të përfituar oferta apo për të hyrë në platformë, si dhe mesazhe që ushtrojnë presion ndaj përdoruesve për të përfunduar sa më shpejt blerjet.
Kompania ka marrë përsipër gjithashtu të ofrojë informacion më të qartë për shërbimin ndaj klientit, çmimet, pretendimet për ndikimin mjedisor të produkteve dhe mënyrën e kryerjes së pagesave. Një tjetër angazhim është thjeshtimi i procedurave për kthimin e produkteve dhe rimbursimin e parave.
Pas njoftimit të Komisionit Europian, një zëdhënës i Temu-t deklaroi se kompania e mirëpret marrëveshjen dhe do të vijojë punën për të rritur transparencën dhe për të përmirësuar përvojën e blerjeve për konsumatorët në Europë.


