"Lë mandatin nëse shtëpia ime është 500 m²", Balla sfidon Shehajn në Kuvend

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, i është përgjigjur akuzave të kryetarit të Partisë Mundësia, Agron Shehaj, i cili e akuzoi se ka një apartament 500 metra katrorë pranë stadiumit “Air Albania”.
Balla, nga foltorja e Kuvendit e ka sfiduar Shehaj duke i thënë se nëse e disponon këtë apartament, ai lë direkt mandatin e deputetit.
Pjesë nga fjala e Taulant Ballës:
Ke dalë para pak ditësh në ballkonin, në saletin e vilës tënde apo të papafingos tënde të një pallati dhe ke thënë që Taulant Balla ka një apartament 500 m², është e vërtetë?
Tani unë të ftoj të vish në këtë foltore. Nëse rezulton që ajo është e vërtetë, unë jap dorëheqjen nga mandati im si deputet sot. Nëse ajo është e vërtetë. Nëse unë kam në atë godinë një apartament 500 m², unë nuk rri më në këtë sallë, iki dhe nuk vij më. Mund të jetë një sipërfaqe banimi, po 500 m² nuk e kam. Po ta kem, iki dhe nuk vij më në këtë sallë, nuk jam unë maskara si puna jote. Sepse unë jam përballur, kam 21 vite në këtë sallë. Sikur një fije floku ta kisha keq, më kishte "vrarë" Saliu përpara teje.
Unë të sfidoj. Dhe për ta ditur shqiptarët, transparent, sepse unë jam subjekt deklarimi pasurie që nga viti 2003, që ditën e parë që është deklarimi i pasurisë. Dhe do më duhet për atë apartament ku jetoj bashkë me familjen time, do më duhet të punoj deri në vitin 2044 për ta shlyer me kredi. Kam shlyer një pjesë, kam dhe 19, 18 vite të tjera për të shlyer atë kredi. Dhe ai apartament nuk është i imi, është i bankës. Kur ta mbaroj shlyerjen e kredisë, do jetë apartamenti i fëmijëve të mi edhe i bashkëshortes time dhe do Zoti, i kam prindërit gjallë deri në atë kohë. Kaq. Dhe dallimi im mes teje, Agron, është shumë i madh.
Ti je një matrapaz. Vjen nga një sektor ku pastrimi i parave sipas GRECO-s është risku më i madh. Ti pastron para, Agron Shehaj. Ti paratë e call centerave, i ke pastruar me vila, sepse ta kam thënë dhe do të ta thonë edhe institucionet e tjera ligjzbatuese, të huaja dhe shqiptare. Ti paratë e call centerave i ke investuar në real estate dhe brenda një kohe të shkurtër ke bërë rishitjen me një çmim pesë herë më të madh. Skemë për ata që kanë dy pare mend më të qartë të pastrimit të parave se ç'ke ngritur ti, nuk ka buf që nuk e kupton. Dakord?
Sa i përket të tjerave, o zotëri, ja ku e ke grupin parlamentar të Partisë Demokratike. Ti hajdut i vodhe të dhënat anëtarëve të Partisë Demokratike, të cilëve në zgjedhjet e 2025-ës u dërgoje mesazhe anëtarëve të Partisë Demokratike dhe i çoje mesazhe dhe i kërkoje votën. Për këtë, Komisioneri për Mbrojtjen e të Dhënave Personale të ka dënuar, është vendim.


