"Mos na i plagosni simbolet", Monika Lubonja thirrje protestuesve të 28 Nëntorit

Aktualitet

"Mos na i plagosni simbolet", Monika Lubonja thirrje protestuesve
Drejtorja e Qendrës së Restaurimit dhe Realizimit të Veprave të Artit pranë Bashkisë së Tiranës, Monika Lubonja, ka bërë një thirrje për qytetarët që mos dëmtojnë monumentet apo shtatoret e figurave historike që janë të vendosura në kryeqytet.

Kjo thirrje vjen në prag të festave të nëntorit, teksa në 114 vjetorin e Pavarësisë është thirrur një protestë mbarëkombëtare. 

Postimi i Monika Lubonjës:

Në prag të festave të Nëntorit, kur zemra duhet të na kthehet te historia, te sakrificat dhe te njerëzit që i dhanë këtij vendi emër, pavarësi dhe dinjitet, është e dhimbshme të shohësh pamje të tilla.

Përpara shtatoreve të Ismail Qemalit dhe Skënderbeut duhet të qëndrojmë me respekt, mirënjohje dhe krenari. Jo sepse ata ishin të pagabueshëm, por sepse historia e këtij kombi dhe rruga drejt lirisë mbajnë edhe emrat e tyre. 

Të dashur protestues, e drejta për të protestuar është e shenjtë. Zëri juaj duhet dëgjuar, pakënaqësia juaj duhet shprehur. Por mos harroni se këto monumente nuk i përkasin një pushteti, një partie apo një kohe. Ato i përkasin historisë sonë, të gjithëve ne dhe brezave që do të vijnë.

Mos i mbuloni sytë e historisë sonë. Mos i plagosni simbolet që duhet të na bashkojnë.

Mund të kemi bindje të ndryshme, mund të mos pajtohemi për shumë gjëra, por të paktën të kemi një gjë të përbashkët: respektin për atë që na ka sjellë deri këtu.

Sepse një komb nuk e nderon historinë vetëm me festa dhe fjalime, por edhe me mënyrën se si kujdeset për të.

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion