Xi Jinping "pret kokat" e 33 zyrtarëve, i shkarkon një e nga një nga detyra

Presidenti kinez Xi Jinping ka ndërmarrë një nga valët më të mëdha të spastrimeve në historinë moderne të Partisë Komuniste të Kinës. Plot 33 zyrtarë janë shkarkuar ose kanë humbur pozicionet e tyre, ndërsa mungesa e më shumë se një të katërtës së anëtarëve të Komitetit Qendror në takimin e fundit të nivelit të lartë ka nxjerrë në pah përmasat e ndryshimeve brenda strukturave drejtuese të vendit. Sipas një raportimi të gazetës britanike The
Guardian, në Sesionin e Pestë Plenar të Komitetit Qendror morën pjesë vetëm 279 anëtarë të plotë dhe zëvendësues, nga 376 që ishin zgjedhur fillimisht në vitin 2022. Pra, më shumë se 25% e përbërjes fillestare mungonte në këtë takim, ku një pjesë e konsiderueshme e vendeve të lira lidhet me spastrime të kryera gjatë viteve të fundit.
Ky është numri më i madh i vendeve të lira të regjistruara në një seancë plenare të Komitetit Qendror në historinë moderne të Kinës, duke dëshmuar shkallën e ndërhyrjeve të Xi Jinping në strukturat e partisë dhe të ushtrisë. Mes emrave të konfirmuar si të shkarkuar janë Zhang Yuxia, ish-zëvendëskomandant i ushtrisë kineze, dhe Ma Xingrui, ish-sekretar i Partisë Komuniste në rajonin Xinjiang. Ndërkohë, për mungesën e disa zyrtarëve të tjerë nuk është dhënë ende një shpjegim zyrtar. Neil Thomas, bashkëpunëtor i lartë në organizatën kërkimore Asia Society, vlerësoi se numri rekord i vendeve të lira nënvizon rëndësinë që Xi Jinping i kushton disiplinës së brendshme dhe kontrollit mbi partinë.
Fushata kundër korrupsionit apo eliminim i rivalëve politikë?
Që prej ardhjes në pushtet në vitin 2012, Xi Jinping e ka vendosur luftën kundër korrupsionit në qendër të drejtimit të Partisë Komuniste. Por vitet e fundit, kjo fushatë është zgjeruar ndjeshëm, duke prekur jo vetëm zyrtarët e administratës, por edhe figurat më të fuqishme politike dhe ushtarake të Kinës.
Spastrimet kanë ngritur pikëpyetje nëse bëhet fjalë vetëm për një përpjekje për të luftuar korrupsionin apo nëse ato po përdoren gjithashtu si instrument për të larguar kundërshtarët politikë dhe për të ndëshkuar zyrtarët që nuk konsiderohen mjaftueshëm besnikë ndaj presidentit. Vetë Xi ka shprehur vazhdimisht pakënaqësinë për mungesën e disiplinës brenda partisë, e cila ushtron kontrollin mbi shtetin dhe shoqërinë kineze. Në deklaratat e tij të fundit, ai ka kërkuar eliminimin e “pemëve të sëmura” nga radhët e partisë, ndërsa luftën kundër korrupsionit e ka cilësuar si një “udhëtim pa fund”.
Përmasat e kësaj fushate janë veçanërisht të dukshme në ushtrinë kineze, ku një seri shkarkimesh ka goditur rëndë Komisionin Qendror Ushtarak, organin më të lartë drejtues të Forcave të Armatosura. Nga shtatë anëtarët që kishte fillimisht ky komision, aktualisht kanë mbetur vetëm dy: vetë Xi Jinping dhe Zhang Shengmin, përgjegjës për mbikëqyrjen e luftës kundër korrupsionit në ushtri.
Gjatë sesionit të fundit plenar, Zhang Shengmin u promovua në Byronë Politike të Partisë Komuniste, organi më i lartë drejtues i saj. Ai është tashmë i vetmi përfaqësues i forcave të armatosura në këtë strukturë. Sipas raportimeve të The Guardian, shkalla e spastrimeve në ushtri dhe largimi i figurave të nivelit të lartë kanë ngritur shqetësime edhe për vazhdimësinë e drejtimit dhe organizimin e strukturave ushtarake.
Kongresi i vitit 2027, Xi Jinping synon mandatin e katërt
Përtej spastrimeve, Sesioni i Pestë Plenar ka shërbyer edhe për të përgatitur terrenin për Kongresin e 21-të të Partisë Komuniste, i cili zhvillohet një herë në pesë vjet dhe pritet të mbahet në gjysmën e dytë të vitit 2027. Ky kongres do të jetë vendimtar për përcaktimin e përbërjes së ardhshme të udhëheqjes kineze. Xi Jinping pritet të kërkojë një mandat të katërt në krye të partisë, duke konsoliduar më tej pushtetin e tij dhe duke u bërë udhëheqësi më jetëgjatë i Kinës komuniste që prej Mao Ce Dunit.
Gjatë kongresit do të zgjidhen përbërja e re e Komitetit Qendror dhe e Byrosë Politike, dy prej strukturave më të rëndësishme të pushtetit në Kinë. Megjithatë, analistët vlerësojnë se spastrimi i një numri kaq të madh zyrtarësh mund ta bëjë më të vështirë identifikimin e kandidatëve të përshtatshëm për pozicionet e larta drejtuese.
Një pjesë e konsiderueshme e figurave që ishin promovuar në strukturat e partisë dhe të ushtrisë tashmë janë larguar, ndërsa Xi po përgatitet të përcaktojë ekipin që do ta shoqërojë në mandatin e ardhshëm. Kështu, përpara kongresit të vitit 2027, fushata kundër korrupsionit dhe disiplinimi i strukturave të partisë mbeten në qendër të strategjisë së Xi Jinping për të ruajtur kontrollin mbi aparatin politik dhe ushtarak të Kinës.


