Rama mbledh ministrat dhe drejtuesit e qarqeve, diskutohen buxheti i ri dhe situata në Kuvend

Politikë

Rama mbledh ministrat dhe drejtuesit e qarqeve, diskutohen buxheti i ri dhe
Kryeministri Edi Rama do të mbledhë këtë të premte ministrat e kabinetit qeveritar dhe drejtuesit politikë të qarqeve të Partisë Socialiste. Takimi është parashikuar të nisë në orën 09:30.

Mbledhja zhvillohet në një moment me zhvillime të rëndësishme politike, pas protestave të ditëve të fundit në Tiranë, ndërsa në axhendën institucionale është edhe shqyrtimi i projektbuxhetit për vitin 2027 dhe paketës fiskale.

Vetëm gjysmë ore pas nisjes së takimit të Ramës, në orën 10:00, në Komisionin për Ekonominë, Punësimin dhe Financat do të prezantohet projektligji për Buxhetin 2027, së bashku me ndryshimet e propozuara në legjislacionin fiskal.

Paketa përfshin ndryshime në ligjet për akcizat, Tatimin mbi Vlerën e Shtuar (TVSH), taksat kombëtare, tatimin mbi të ardhurat dhe procedurat tatimore.

Çfarë premtoi Rama në paketën fiskale 2027?

Gjatë prezantimit të paketës fiskale, Rama njoftoi një sërë ndryshimesh në taksimin e qytetarëve dhe bizneseve. Një nga premtimet kryesore ishte ulja e TVSH-së për produktet bazë ushqimore nga 20% në 6%, për të cilën kryeministri deklaroi se do të shtojë 150 milionë euro në vit në buxhetet familjare.

Nga ana tjetër, qeveria parashikon rritjen e normës standarde të TVSH-së nga 20% në 21% për produktet dhe shërbimet jashtë shportës bazë.

Rama njoftoi gjithashtu rritjen e tatimit mbi dividendin nga 8% në 15%, ndërsa tha se tatimi mbi fitimin e sipërmarrjes do të mbetet në nivelin 15%.

Ndryshime do të ketë edhe në tatimin mbi pagat. Pragu i sipërm i fashës së tatimit 13% do të rritet nga 200 mijë në 300 mijë lekë, masë nga e cila, sipas kryeministrit, do të përfitojnë rreth 32 mijë tatimpagues. Ndërkohë, parashikohet një fashë e re me tatim 30% për pagat mbi 700 mijë lekë në muaj.

Një tjetër ndryshim lidhet me bizneset e vogla, ku pragu i përfshirjes në skemën e TVSH-së propozohet të ulet nga 10 milionë në 5 milionë lekë xhiro vjetore. Për sektorin e hotelerisë, TVSH-ja për shërbimet e akomodimit parashikohet të rritet nga 6% në 10%, me përjashtim të agroturizmit.

Projektbuxheti dhe paketa fiskale pritet të kalojnë për shqyrtim në Kuvend, ku do të përcaktohet edhe forma përfundimtare e këtyre ndryshimeve.

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion