Vritet me armë zjarri futbollisti pas një sherri nē lokal

Futbolli brazilian është tronditur nga një ngjarje tragjike. Ish-mesfushori i Fortaleza dhe Campinense, Bismarck Vinicius, ka humbur jetën në moshën 36-vjeçare, pasi u qëllua me armë zjarri në një lokal në qytetin Natal, në Brazil.
Ngjarja ndodhi në orët e para të së premtes, më 6 nëntor, në lokalin “Bar do Borogodó”, në lagjen Cidade Alta. Sipas medieve braziliane, futbollisti ndodhej së bashku me disa miq kur u përfshi në një konflikt me një person tjetër.
Dyshimet paraprake të policisë janë se sherri mund të ketë nisur për motive xhelozie. Pas largimit nga lokali, autori i dyshuar raportohet se është kthyer i armatosur dhe ka qëlluar ndaj personave të pranishëm.
Nga të shtënat mbetën të plagosur Bismarck dhe një person tjetër. Ish-mesfushori u transportua me urgjencë në spitalin Monsenhor Walfredo Gurgel, por nuk arriti t'u mbijetonte plagëve. Personi tjetër i plagosur mori ndihmën mjekësore.
Policia Civile e shtetit Rio Grande do Norte ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit. Ndërkohë, motivet e krimit mbeten ende nën hetim.
Bismarck Vinicius ishte një emër i njohur në futbollin e rajonit verilindor të Brazilit. Ai u formua te Fortaleza, ku fitoi tre tituj kampion në shtetin e Cearas.
Në vitin 2013, triumfoi në Kupën e Nordestes me Campinense, ndërsa në vitin 2010 fitoi kampionatin brazilian të kategorisë së katërt me Guarany de Sobral.
Gjatë karrierës së tij, mesfushori u aktivizua edhe në disa klube të tjera braziliane, ndërsa pati një eksperiencë jashtë vendit me Espérance de Tunis në Tunizi.
Bismarck ishte ende aktiv në futboll. Gjatë vitit 2026 ai luajti për Parnahyba dhe kishte arritur marrëveshjen për t'iu bashkuar Olimpias në sezonin e ardhshëm, ku do të konkurronte në elitën e kampionatit të shtetit Maranhão.


