Vr'au 22-vjeçaren shqiptare, jepet sot vendimi për Mark Samson, prokuroria kërkon burgim të përjetshëm

Gjykata pritet të shpallë sot vendimin e shkallës së parë për Mark Samson, i cili ka pranuar vrasjen e studentes shqiptare Ilaria Sula, 22 vjeç.
Prokuroria kërkon burgim të përjetshëm, duke argumentuar se krimi ishte i planifikuar, ndërsa mbrojtja pretendon se bëhet fjalë për një akt të kryer në gjaknxehtësi. Mark Samson akuzohet për vrasjen me thikë të Ilaria Sulës, më 25 mars 2025, në banesën e tij në rrugën Homs, në lagjen Africano të Romës.
Pas vrasjes, ai e vendosi trupin e vajzës në një valixhe dhe e hodhi në një humnerë në zonën e Capranica Prenestina. Trupi u gjet më 2 prill, pas një jave kërkimesh.
Në fshehjen e trupit e ndihmoi edhe nëna e të akuzuarit.
Samson akuzohet për vrasje me dashje si dhe për fshehjen e trupit.
Prokuroria: Vrasja ishte e planifikuar
Më 19 maj, Prokuroria e Romës kërkoi burgim të përjetshëm për Samson. Gjatë fjalës përfundimtare, prokurorët argumentuan se vrasja ishte planifikuar dhe kryer me gjakftohtësi.
Prokurori deklaroi se Samson e kishte thirrur Sulën në banesën e tij dhe i kishte ngritur “kurth”. Sipas akuzës, vajza fillimisht u godit me grushte dhe më pas u qëllua me thikë.
Prokurori theksoi gjithashtu se, pas vrasjes, i pandehuri u soll në një mënyrë që, sipas prokurorisë, tregonte mungesë pendese, duke përmendur edhe faktin se ai kishte dalë për të ngrënë një piadinë pas krimit.
Ndërsa prokurorja Maria Perna e përshkroi Samson si një person manipulues, të mësuar të gënjente dhe që, sipas saj, kishte ushtruar kontroll mbi jetën e Sulës dhe marrëdhënien e tyre.
Mbrojtja: Ishte një krim i kryer në gjaknxehtësi
Nga ana tjetër, avokatët e Samson, Paolo Foti dhe Alessandro Pillitu, kundërshtuan akuzat.
Avokati Foti argumentoi se vrasja nuk ishte e planifikuar, por kishte ndodhur pas një konflikti të momentit.
Mbrojtja kërkoi gjithashtu njohjen e rrethanave lehtësuese, duke përmendur moshën e të pandehurit, mungesën e dënimeve të mëparshme dhe bashkëpunimin e tij në rindërtimin e ngjarjes.
Tashmë pritet që gjykata të vendosë nëse vrasja e Ilaria Sulës do të cilësohet si krim i paramenduar, apo si një akt i kryer në gjaknxehtësi, sipas versionit të mbrojtjes.


