Nga mesha te kafeneja, kisha mbetet pa besimtarë, prifti merr vendimin që po bën xhiron e rrjetit

Një nismë e veçantë ka nisur në qytetin e Treviglios, në provincën e Bergamos në Itali, ku monsinjor Zaccaria Bonalumi do të takohet me qytetarët në bare, duke i ftuar për një kafe dhe biseda të lira.
Ideja e Kishës lokale synon të afrojë njerëzit që zakonisht nuk frekuentojnë kishën dhe të krijojë një mundësi komunikimi jashtë ambienteve fetare.
Nisma, e quajtur “Një kafe me monsinjorin”, parashikon për momentin dy takime. I pari është planifikuar për të hënën, më 26 tetor, në orën 09:30, ndërsa takimi i dytë do të zhvillohet të mërkurën, më 28 tetor, në të njëjtën orë, por në një bar tjetër të komunitetit.
Në njoftimin e publikuar në faqen zyrtare të Kishës së Treviglios, aktiviteti përshkruhet si një mundësi e thjeshtë dhe joformale për t’u takuar e për të biseduar me këdo që ka dëshirë dhe kohë.
Duke folur për Corriere di Bergamo, monsinjor Bonalumi shpjegoi se dëshiron të provojë këtë mënyrë komunikimi për të takuar njerëz që zakonisht nuk shkojnë në kishë.
“Është një ide që dua ta provoj për të takuar njerëzit që përgjithësisht nuk vijnë në kishë. Nuk e di si do të shkojë, nëse do të ketë interes dhe sa kafe do të më duhet të paguaj”, u shpreh ai.
Bonalumi e cilësoi nismën si një përpjekje për një kishë që dëshiron të jetë pranë të gjithëve dhe të mos kufizohet vetëm te kambanat që thërrasin besimtarët.

