Turqi, përmbyset autobusi me pasagjerë, raportohet për vik'tima dhe të plagosur

Një aksident tragjik është regjistruar mëngjesin e kësaj të marte në Turqi, ku një autobus pasagjerësh është përmbysur në autostradën Isparta-Antalya, duke shkaktuar vdekjen e një personi. Sipas raportimeve të mediave turke, aksidenti ndodhi në dalje të tuneleve Kazak, në rrethana që ende nuk janë zbardhur plotësisht.
Informacionet paraprake bëjnë të ditur se drejtuesi i autobusit të kompanisë “Buzlu” ka humbur kontrollin e mjetit, duke bërë që ai të përmbyset në rrugë.
Si pasojë e aksidentit, ka humbur jetën ndihmësshoferi i autobusit, i cili në momentin e përmbysjes po flinte në pjesën e poshtme të automjetit, në hapësirën e posaçme për pushimin e personelit.
Ende nuk ka informacione të konfirmuara për numrin e pasagjerëve që ndodheshin në autobus apo për persona të tjerë të lënduar. Autoritetet turke po hetojnë rrethanat e aksidentit për të përcaktuar shkaqet që çuan në humbjen e kontrollit të mjetit.


