Votimi i Reformës Territoriale/ Çepani: Sistemi zgjedhor ka zhveshur deputetin nga përgjegjësia ndaj votuesve!

Edlira Çepani ka komentuar në një studio televizive diskutimet për kalimin e Reformës Territoriale me 85 vota dhe funksionimin e sistemit politik në Shqipëri, duke kritikuar sistemin zgjedhor dhe ndikimin e tij në pavarësinë e deputetëve dhe demokracinë e brendshme të partive politike.
Sipas Çepanit, sistemi aktual zgjedhor e ka dobësuar rolin e deputetit si përfaqësues i qytetarëve, duke e bërë atë më të varur nga vendimmarrja e partisë politike.
“Ky sistem zgjedhor e ka zhveshur deputetin nga fuqia personale dhe përgjegjësia për t’u përballur me votuesit dhe për t’i përfaqësuar ata. E ka bërë një të emëruar nga partia, i cili ka për detyrë t’i përgjigjet partisë në momentin që ajo i thotë të votojë në një mënyrë apo në një tjetër. Ky është një diskutim që e kemi bërë që në vitin 2008”, u shpreh Çepani.
Ajo theksoi se mënyra se si zgjidhet një deputet ndikon drejtpërdrejt edhe në mënyrën se si ai ushtron funksionin e tij dhe i përgjigjet komunitetit që përfaqëson.
“ Këtu del mënyra se si zgjidhet deputeti, e cila i jep edhe mënyrën se si do të performojë përballë komunitetit të tij. Vetë sistemi të çon aty”, deklaroi ajo.
Çepani ngriti gjithashtu shqetësimin për dobësinë e forumeve të brendshme partiake dhe pamundësinë e anëtarëve për të ushtruar të drejtat e tyre dhe për të kërkuar demokraci të brendshme.
Sipas saj, kjo situatë nxit përqendrimin e pushtetit dhe krijimin e praktikave autokratike, jo vetëm brenda partive politike, por edhe në mënyrën se si ushtrohet qeverisja.
“Ne kemi forume shumë të dobëta, anëtarë që nuk arrijnë dot të ushtrojnë të drejtat e tyre apo të ushtrojnë presionin për të mbajtur një demokraci të brendshme. Kjo sjell një politikë autokratike, si në organizmat që janë partitë politike, ashtu edhe në mënyrën se si bëhet qeverisja në instancat e tjera”, u shpreh Çepani.
Në përfundim, ajo paralajmëroi se zhvillimet aktuale e bëjnë të domosdoshëm reflektimin mbi funksionimin e sistemit politik, duke e cilësuar momentin si të rrezikshëm.
“Sot po e shohim të ndodhë shumë hapur dhe mendoj se është një moment kur duhet të reflektohet, sepse është një moment i rrezikshëm”, përfundoi Çepani.


