Replika Braçe – Tabaku: “Do t’ia ngel dopio-gjashtën në dorë” / Deputetja: Ligjet shkruhen në biznese, jo në zyra

Përplasjet në Kuvend vijuan edhe pas më shumë se 12 orësh nga nisja e seancës plenare, ku nuk munguan as batutat dhe ironitë mes deputetëve. Këtë herë, në qendër të debatit ishte TVSH-ja për profesionistët e lirë dhe bizneset e vogla, çështje për të cilën u përplasën deputeti socialist Erion Braçe dhe Jorida Tabaku.
Gjatë fjalës së tij, Braçe zgjodhi të ironizojë deputeten demokrate, duke e krahasuar me një lojtare dominoje, sport që sipas tij kërkon aftësi në llogaritje.
Ai kundërshtoi pretendimin se 17 500 biznese të vogla do të përfshihen në regjimin e TVSH-së, duke e cilësuar këtë shifër të pavërtetë. Braçe argumentoi gjithashtu se TVSH-ja nuk paguhet drejtpërdrejt nga profesionistët e lirë dhe bizneset e vogla, por nga konsumatorët.
Deputeti socialist solli në vëmendje edhe sektorin e bujqësisë, duke deklaruar se fermerët kanë përfituar naftë pa pagesë për shtatë vite dhe se nga 1 janari do të përjashtohen nga taksa e qarkullimit.
Nga ana tjetër, Tabaku akuzoi mazhorancën se po përdor Kuvendin për të miratuar ligje në favor të interesave të veçanta. Ajo pretendoi se ligjet po hartohen në zyrat e bizneseve dhe paralajmëroi se paketa që po shqyrtohej përbën, sipas saj, një dëm për qytetarët shqiptarë.


