Vodhën para, flori dhe bizhuteri, përfundojnë në burg dy shqiptarë në Itali (EMRAT)

Dy shtetas shqiptarë, Leo Toma, 34 vjeç, dhe Arlindi Tomaj, 22 vjeç, janë dënuar me burg në Itali, pasi Prokuroria konfirmoi masën e arrestit ndaj tyre pas operacionit të zhvilluar pesë ditë më parë në një strukturë akomoduese me emrin “Immersa nel Verde”.
Gjatë aksionit në zonën mes San Biagio dhe Offagna dy të rinjtë u arrestuan nga karabinierët pas një dite të tërë ndjekjesh dhe vëzhgimesh nga forcat e rendit.
Sipas mediave lokale, hetuesit arritën të identifikonin automjetin e dyshimtë përmes kamerave të leximit automatik të targave (OCR) në disa bashki përreth. Pas ndjekjes së dy autorëve efektivët e policisë rrethuan strukturën ku dyshohej se fshiheshin personat e përfshirë në vjedhje
Gjatë ndërhyrjes, një person i tretë, i cili drejtonte automjetin e marrë me qira, arriti t’u shpëtonte karabinierëve pas një përleshjeje fizike me ta. Më pas ai u largua me shpejtësi nëpër fusha, në kushtet e shiut dhe errësirës, duke përfunduar në zonën e luginës së lumit Aspio.
Ky i fundit dyshohet se ka vjedhur një automjet që ishte i parkuar në zonë dhe është larguar pa u identifikuar. Policia italiane vijon kërkimet për kapjen e tij, ndërsa po heton edhe për ndihmësit e mundshëm që mund ta kenë strehuar.
Gjatë operacionit, autoritetet kanë sekuestruar mjete të përdorura për hapjen e kasafortave, ndërsa një pjesë e sendeve të vjedhura është rikthyer te pronarët. Bëhet fjalë për 2.810 euro cash, si dhe sende ari dhe bizhuteri.
Dy shtetasit shqiptarë rezultonin të njohur për autoritetet, priten të qëndrojnë në dispozicion të drejtësisë, ndërsa hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të aktivitetit të grupit dhe identifikimin e personit të tretë.


