Qytetarëve nuk do t’u mbahet më një pjesë e dëmshpërblimit, pagesat brenda 14 ditëve për dëmet deri në 250 mijë lekë

Aktualitet

Qytetarëve nuk do t’u mbahet më një pjesë e

Qytetarët e dëmtuar në aksidente rrugore nuk do të penalizohen më me pjesën e zbritshme të dëmit, të njohur si franshizë, ndërsa për aksidentet me dëme të vogla materiale kompanitë e sigurimit do të detyrohen të kryejnë pagesat brenda 14 ditëve kalendarike.

Këto janë disa nga ndryshimet që parashikon projektligji i ri për sigurimin e detyrueshëm motorik, i hartuar nga Ministria e Financave.

Një nga risitë kryesore lidhet me rritjen e vlerës së dëmeve që trajtohen përmes procedurës së përshpejtuar. Nëse aktualisht kjo procedurë zbatohet për dëme deri në 100 mijë lekë, me ndryshimet e propozuara pragu do të rritet në 250 mijë lekë.

Për këto raste, kompanitë e sigurimit do të kenë detyrimin të kryejnë dëmshpërblimin brenda dy javëve nga paraqitja e kërkesës.

“Detyrimi për pagesën e dëmshpërblimit të kërkesave me vlerë të vogël bëhet brenda 14 ditëve kalendarike nga paraqitja e kërkesës”, thuhet në projektligjin e Ministrisë së Financave.

Një tjetër ndryshim i rëndësishëm është heqja e franshizës për palët e dëmtuara. Kjo do të thotë se qytetarëve që kërkojnë kompensim nga sigurimi i detyrueshëm nuk do t’u zbritet më një pjesë e vlerës së dëmit.

“Një risi thelbësore është ndalimi i aplikimit të pjesës së zbritshme ose franshizës ndaj palëve të dëmtuara”, thuhet në projektligjin e  Ministrisë  Financave.

Ndërkohë, për aksidentet ku personi përgjegjës nuk ka siguracion ose nuk identifikohet, projektligji parashikon vijimin e kompensimit të të dëmtuarve përmes Fondit të Kompensimit.

Ndryshimet përfshijnë edhe rritjen e kufijve minimalë të mbulimit të sigurimit për dëmet ndaj personave dhe pronës. Megjithatë, këto vlera të reja nuk do të zbatohen menjëherë.

Sipas draftit, kufijtë e rinj të kompensimit do të hyjnë në fuqi me anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian, ndërsa deri atëherë do të vijojë zbatimi i regjimit kalimtar.

Projektligji synon të përshpejtojë procedurat e dëmshpërblimit, të forcojë mbrojtjen e qytetarëve të dëmtuar në aksidente dhe të rrisë përgjegjësitë e kompanive të sigurimit.

 

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion