Video/ Tragjedi në Egjipt, 30 të vdekur pas shpërthimit të cisternës me naftë

Të paktën 30 persona kanë humbur jetën dhe 15 të tjerë janë plagosur pas një aksidenti të rëndë në Egjipt, ku një kamion-cisternë që transportonte naftë u përmbys dhe shpërtheu në një autostradë rajonale në rajonin e Gizës, pranë Kajros.
Sipas agjencisë së lajmeve Reuters, duke cituar Ministrinë egjiptiane të Shëndetësisë, përmbysja e cisternës shkaktoi një zjarr të fuqishëm, i cili u përhap me shpejtësi edhe në automjetet që ndodheshin pranë saj. Aksidenti ndodhi në zonën Al Waraq, mbi Tunelin 10 të Unazës së Kajros, në një prej zonave me popullsi të dendur të kryeqytetit egjiptian. Pamjet e publikuara nga vendngjarja tregojnë përmasat e zjarrit dhe dëmet e shkaktuara nga shpërthimi.
BREAKING: Reports of more than 30 people killed after a truck carrying petroleum products overturned while turning on Cairo’s Ring Road, triggering a massive explosion and fire that spread to several nearby vehicles, according to Egypt’s Health Ministry. https://t.co/7lJKLTR2Rs
— Breaking911 (@Breaking911) November 25, 2026
Pas incidentit, në zonë u zhvillua një operacion i gjerë emergjence, ku u angazhuan forcat zjarrfikëse, Mbrojtja Civile dhe shërbimet e shpëtimit.
Ministria e Shëndetësisë mobilizoi gjithsej 39 ambulanca për transportimin e viktimave dhe dhënien e ndihmës së parë për të plagosurit. Personat e lënduar u dërguan në tre spitale të zonës, ku morën trajtimin e nevojshëm mjekësor. Ndërkohë, ministri i Shëndetësisë, Khaled Abdel Ghaffar, urdhëroi që spitalet përreth të kalonin në gatishmëri të lartë për t’iu përgjigjur situatës së krijuar nga aksidenti.
Edhe Gjysmëhëna e Kuqe Egjiptiane u angazhua për të mbështetur personat e prekur nga tragjedia, ndërsa Ministritë e Shëndetësisë dhe Solidaritetit Social po ndjekin nga afër zhvillimet. Forcat e Mbrojtjes Civile arritën ta vinin zjarrin nën kontroll, por autoritetet vijojnë të hetojnë rrethanat e ngjarjes.
Deri më tani nuk dihet se përse drejtuesi i kamionit-cisternë humbi kontrollin e automjetit dhe çfarë e shkaktoi përmbysjen e tij. Gjithashtu, nuk është bërë i ditur numri i saktë i automjeteve të përfshira në zjarr, ndërsa autoritetet nuk kanë publikuar detaje të mëtejshme për gjendjen shëndetësore të 15 të plagosurve. Hetimet për aksidentin vijojnë, ndërsa bilanci tragjik i viktimave e ka kthyer ngjarjen në një prej aksidenteve më të rënda të raportuara së fundmi në zonën e Kajros.


