Vaji i ullirit mbetet pa shitur, fermerët e Drobonikut ngrenë alarmin: Po falimentojmë!

Aktualitet

Vaji i ullirit mbetet pa shitur, fermerët e Drobonikut ngrenë alarmin:
Prodhimi i ullirit këtë vit në fshatin Drobonik të Beratit është më i bollshëm dhe cilësor se një vit më parë, por fermerët po përballen me vështirësi të shumta. Mungesa e fuqisë punëtore, kostot e larta të vjeljes dhe mungesa e tregut për shitjen e prodhimit po e kthejnë një sezon të mbarë në një tjetër vit të vështirë për ekonominë e tyre.

Fermerët e Drobonikut thonë se largimi i të rinjve nga fshati ka bërë që në zonë të mbeten kryesisht të moshuarit, të cilët e kanë gjithnjë e më të vështirë të përballojnë punët në ullishte. Ndërkohë, ata pak punëtorë sezonalë që ofrojnë shërbimet e tyre kërkojnë deri në 30-35 mijë lekë të vjetra në ditë për vjeljen e ullirit.

“Ne kemi shpenzuar mjaft, duke u bërë të gjitha shërbimet pemëve të ullirit, por tani, në kohën e vjeljes, nuk gjejmë dot fuqi punëtore për t’i vjelë. Të rinjtë janë larguar dhe në fshat kemi mbetur vetëm moshat mbi 60 vjeç. Me shumë vështirësi po i vjelim vetëm familjarisht. Edhe ata pak punëtorë sezonalë që vijnë kërkojnë nga 30-35 mijë lekë të vjetra në ditë, por për ne është e pamundur, pasi kostoja e ullirit bëhet shumë e lartë.

Edhe pse i shërbejmë prodhimit gjatë gjithë vitit, ne dalim me humbje, pasi nuk gjejmë dot as treg për ta shitur ullirin që arrijmë të vjelim. Kështu nuk marrim dot as paratë që kemi investuar“, shprehen fermerët.

Përveç mungesës së fuqisë punëtore dhe tregut, fermerët ankohen edhe për rritjen e çmimeve të plehrave kimike dhe pesticideve, ndërsa çmimi i ullirit në treg ka pësuar rënie të ndjeshme. Sipas tyre, situata po bëhet gjithnjë e më e vështirë dhe shumë prej tyre po shkojnë drejt falimentimit.

Problematika është edhe më e madhe për prodhuesit e vajit të ullirit. Teksa po përgatiten të nxjerrin vajin e ri, fermerët thonë se ende nuk kanë shitur prodhimin e vitit të kaluar. Sasitë e vajit të mbetura stok nuk po gjejnë blerës, pasi çmimi që ofrohet në treg nuk mbulon as kostot e prodhimit.

“Po na mbetet prodhimi pa shitur. Nuk ka më asnjë vlerë puna jonë”, shprehen të revoltuar fermerët.

Fshati Drobonik është zona e dytë më e madhe prodhuese e ullirit në qarkun e Beratit, pas fshatit Bilçë. Në këtë zonë kultivohen sipërfaqe të konsiderueshme me ullinj, të shtrira përgjatë gjithë territorit kodrinor të fshatit, ku një vend të rëndësishëm zë edhe kultivimi i qershisë.

Megjithëse këtë vit natyra u ka dhuruar një prodhim të mbarë, fermerët e Drobonikut rrezikojnë të mos përfitojnë prej tij. Pa punëtorë, pa treg dhe me kosto gjithnjë në rritje, mundi i një viti të tërë rrezikon të shkojë dëm.

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion