Ulet TVSH-ja për ushqimet, por a do të bien çmimet? Eksperti zbulon çfarë pritet të ndodhë me xhepat e qytetarëve

Paketa e re fiskale, e cila parashikon uljen e TVSH-së për produktet ushqimore në 6%, por edhe rritjen e normës standarde të TVSH-së nga 20% në 21%, pritet të sjellë ndryshime në barrën që përballojnë bizneset dhe qytetarët.
Eksperti i ekonomisë Eduart Gjokutaj, në një lidhje të drejtpërdrejtë në edicionin qendror të lajmeve në televizionin kombëtar Vizion Plus me moderator Aleksandër Furxhi, e cilëson paketën si një nismë të papritur, që sipas tij është nxitur edhe nga presioni social dhe protestat.
Gjokutaj shprehet se rritja e taksave për bizneset e mëdha dhe e TVSH-së standarde mund të përthithet përmes çmimeve të produkteve dhe shërbimeve, duke zbehur efektin e uljes së TVSH-së për ushqimet.
Sipas tij, përfitimi për shtresat me të ardhura të ulëta mbetet i dyshimtë, ndërsa buxheti i shtetit parashikon të përfitojë rreth 10 miliardë lekë neto nga masat e propozuara.
INTERVISTA E PLOTË:
Cila është përshtypja juaj kryesore nga gjithë ajo paketë e barrës fiskale që sigurisht është e ngarkuar me shifra dhe me detaje? Çfarë përshtypje ju lë juve?
Eduart Gjokutaj: Kjo paketë që u propozua e gjeti në befasi si biznesin, si grupin e ekspertëve, ashtu edhe në përgjithësi gjithë publikun shqiptar. Pasi jo më shumë se pak ditë më përpara, në pajtim me strategjinë e të ardhurave, me programin politik e qeverisës të Partisë Socialiste, si dhe me programin buxhetor afatmesëm, nuk parashikoheshin rritje apo lëvizje të normave fiskale, por vetëm një përmirësim i administrimit duke ndjekur rekomandimet e FMN-së për heqjen e përjashtimeve fiskale dhe për një shpërndarje më të drejtë të barrës fiskale. Edhe pse thuhet që kemi një barrë fiskale më të shpërndarë, në fakt paketa fiskale në vetvete duket se është e nxitur nga protestat. Pra kërkon të akomodojë nëpërmjet menaxhimit fiskal presionin social në rritje, dhe e gjitha kjo pasqyrohet më së shumti te ligji i TVSH-së.
Ajo që bie në sy në mënyrë të përgjithshme edhe nga një sy joekspert është se kemi ulje të TVSH-së për ushqimet në masën 6%(ka qenë 20%), por ngritje të normës së përgjithshme të TVSH-së nga 20% në 21%. A është e vendosur këtu balanca për arkën e shtetit me rritjen prej 1% dhe zbritjen prej 6% tek ushqimet? A është ky çelësi për ta kuptuar të gjithë këtë mekanizëm apo jo?
Eduart Gjokutaj: Sipas gjithë analizës së paketës, natyrisht e nxitur nga vendimi për një politikë sociale, që në fakt me taksat nuk bëhet politikë sociale, por qeveria e ka parë të arsyeshme ta bëjë këtë, për shkak të uljes së TVSH-së për produktet ushqimore, që ka efektin negativ më të madh sipas llogarive të Ministrisë së Financave, do të merren masa të tjera. Buxheti është aritmetikë, ndaj janë menduar masa që rritin TVSH-në standarde me 1% për të neutralizuar efektin humbës, si dhe rritet tatim-fitimi me 2% për bizneset e mëdha. Bizneset shqiptare do ta transmetojnë këtë kosto te çmimet. Ndërkohë, mendohet se nga TVSH-ja e ushqimeve do të përfitojnë shtresat sociale, por informaliteti i lartë e pengon transmetimin e plotë të kësaj uljeje. Nga ana tjetër, angazhimi ndaj biznesit për mosrritje taksash deri në vitin 2029 dhe ulja e pragut të TVSH-së implikojnë lirinë e vendimmarrjes së biznesit. Të gjitha këto mund ta zhbëjnë uljen e TVSH-së në ushqime, pasi bizneset do t’i transmetojnë kostot në produkte e shërbime të tjera. Rezultati do të jetë që qytetarët nuk do ta ndjejnë këtë lehtësim, ashtu siç ndodhi edhe me rënien e euros që u përthith në marzhet e fitimit të bizneseve.
Nga kjo paketë që propozohet, cilët dalin më të dëmtuarit dhe cilët janë ata që mbahen me hatër?
Eduart Gjokutaj: Po me hatër, presupozohet të mbahet kategoria e atyre që nuk kanë të ardhura të mjaftueshme, pra ata që shpenzojnë deri në 40% të buxhetit familjar për ushqime. Mirëpo është e dyshimtë nëse do të reflektohet te ta. Kurse të humbur janë kryesisht bizneset e mëdha (mbi 14 milionë lekë xhiro), për shkak të rritjes së tatim-fitimit me 2%, rritjes së tatimit mbi dividendin dhe rritjes së TVSH-së me 1%. Ndërsa i fituar në çdo rast del buxheti i shtetit, i cili parashikon të fitojë neto 10 miliardë lekë nga këto masa.


