Vodhi kasafortën 400 kg me bizhuteri me vlerë 50 mijë euro në Belgjikë/ Shqiptari kërkon uljen e dënimit

Aktualitet

 Vodhi kasafortën 400 kg me bizhuteri me vlerë 50 mijë euro

Një 24-vjeçar shqiptar, i dënuar me 30 muaj burg në Belgjikë për vjedhjen e një kasaforte 400 kilogramëshe, ka kërkuar një dënim më të butë në Gjykatën e Apelit në Gent. I riu pretendon se në momentin e kryerjes së veprës ishte nën ndikimin e alkoolit dhe drogës.

Ngjarja ndodhi në banesën e një gruaje që ndodhej me pushime. Kur vëllai i saj shkoi në shtëpi për të ujitur lulet, konstatoi se banesa ishte bastisur dhe kasaforta e rëndë ishte zhdukur. Brenda saj ndodheshin medalje të vjetra ushtarake, unaza fejese, bizhuteri me vlerë deri në 50 mijë euro, si dhe albume fotografike me rëndësi personale për familjen.

Sipas mediave belge, i dyshuari u identifikua përmes analizave të ADN-së dhe më pas u arrestua. Ai ka pranuar përgjegjësinë për ngjarjen, ndërsa në seancën e Apelit ka shprehur pendesë për veprimet e tij.

Avokatja e tij, Pauline Collin, argumentoi se klienti i saj nuk kishte shkuar në Belgjikë me qëllimin për të kryer vepra penale. Sipas saj, 24-vjeçari kishte punuar në një kafene dhe në sektorin e ndërtimit, por më pas kishte nisur të përdorte alkool dhe drogë, duke u ndikuar edhe nga shoqëria e keqe.

Vetë i riu deklaroi para gjykatës se ishte penduar për veprimet e tij dhe se nuk kishte qenë në gjendje të kthjellët kur kreu vjedhjen. Ai shtoi se, pas lirimit nga burgu, synon të kthehet në Shqipëri. Gjykata e Apelit në Gent pritet të shpallë vendimin përfundimtar më 24 nëntor.

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion