“Hetim dhunës policore në protesta”, vijojnë debatet në Komisione, PS: PD të mos mbrojë vandalizmin

Opozita dhe mazhoranca janë përplasur në të gjitha komisionet parlamentare për kërkesat e studentëve që prej dy javësh kanë dalë në protestë për të kërkuar dorëheqjen e kryeministrit edi rama.
Në komisionin e ligjeve, Oerd Bylykbashi kërkoi nga prokuroria të nisë hetimet për dhunën jo proporcionale që sipas tij policia ka ushtruar ndaj protestuesve
Duhej hetim për të gjithë zinxhirin komandues të Policisë së Shtetit. Duhet spastrim i policisë nga efektivët kriminelë që rrahin në mënyrë shtazarake protestuesit. I gjëmojnë nëpër rrugica, i rrahin dhe i lënë në shesh. Ka dy kërkesa: Rama të japë dorëheqjen, është kërkesa e atyre në shesh, edhe e juaja nga brenda. Dhe një qeveri tranzitore. Kuvendi ka detyrimin moral të vetëshpërndahet. Mos u bëni me atë bandit, nëse Kuvendi nuk shpërndahet, turpi do të jetë i juaji. Provoni t’i takoni ata atje dhe do ta shihni faturën”, tha nënkryetari i Komisionit të Ligjeve, Oerd Bylykbashi.
“Vazhdoni të shihni ëndrra, por kur dilni te Lana, vishuni me plastmas. Mos i mbroni ata të dhunës në selinë tuaj. Për të qenë të ndershëm deri në fund, duhet të dënohet dhuna nga të gjitha anët. Nëse ka tejkalim nga policia, le të bëhet hetim”, tha kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja.
Ndërkaq ne komisionin për të drejtat e njeriut, Jorida Tabaku kërkoi që ministri i brendshëm të vijë në kuvend për të dhënë sqarime për dhunën e policisë ndaj protestuesve
“Duhet të raportonte se kush ishin ata persona pa numër identifikimi që kanë rrahur të rinjtë e Tiranës. Duhet të raportonte për shkeljen e të drejtave të njeriut”, tha Tabaku.
Pasi ka bërë publik qëndrimin e saj në mbështetje të protestës, partia demokratike është larguar nga mbledhjet e komisioneve dhe nuk marrë pjesë në diskutimet e asnjë prej ligjeve të vendosura në rendin e ditës.


